Jakimovski arriti të mbledh nënshkrimet në garën presidenciale, ndërkohë Pendarovski filloi procedurën për nënshkrimet

Kryetari i Komunës së Kraposhit, Stevçe Jakimovski, ka arritur të grumbullon 10 mijë nënshkrimet e nevojshme për të zyrtarizuar kandidaturën e tij në garën presidenciale. Ai njoftoi që janë mbledhur 10 372 nënshkrime, transmeton Portalb.mk.

“Nënshkrimet janë mbledhur, beteja sapo ka filluar. Kur nuk jam favorit, thjesht jam më i forti, ndërsa qëllimi i parë është hyrja në xhiron e dytë”, deklaroi Jakimovski, duke vlerësuar që do ta kthen rëndësinë e funksionit të Presidentit të Maqedonisë.

Ai përsëri theksoi që Maqedonia e Veriut ka nevojë për president të guximshëm dhe jo marionetë.

Ndërkohë Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka njoftuar që kandidati Stevo Pendarovski ka dorëzuar nismën për mbledhjen e nënshkrimeve.

“Sot, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve është dorëzuar Iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e Stevo Pendarovskit. Nënshkrimet do të mblidhen në Njësitë/Zyrat rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në të gjithë territorin e vendit”, njoftoi Komisioni.

Zgjedhjet e shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Ndryshe, prej gjithsej 11 kandidatëve, deri tani Bujar Osmani nga BDI-ja, Arben Taravari nga VLEN dhe Maksim Dimitrievski nga ZNAM kanë arritur të sigurojnë nënshkrimet.