Pendarovski dhe Siljanovska-Davkova i mblodhën dhjetë mijë nënshkrimet për kandidaturat për president

Presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski i cili me mbështetje të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) të Maqedonisë së Veriut do të garojë për një mandat të dytë, si dhe deputetja Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE sot mblodhën dhjetë mijë nënshkrimet e nevojshme për kandidaturat e tyre si president, raporton Portalb.mk.

Nga Presidenca e RMV-së përmes një komunikate informuan se në kohë rekord janë mbledhur dhjetë mijë nënshkrimet.

Nga atje theksuan se nga ora 8 në mëngjes në të gjithë territorin e vendit dhe në më pak se pesë orë janë mbledhur 10 mijë nënshkrime nga qytetarët.

Nga ana tjetër, sot nënshkrime u mblodhën edhe për kandidaten për presidente nga VMRODPMNE, deputeten Gordana Siljanovska Davkova.

VMRO-DPMNE informoi se Gordana Siljanovska-Davkova deri në orën 12:00 të ditës së sotme ka mbledhur mbi 15 mijë nënshkrime nga qytetarët.

Pendarovski dhe Silajnovska-Davkova u përballën në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të fundit, ku Pendarovski doli fitues.

Deri tani prej gjithsej 11 kandidatëve nga dhjetë mijë nënshkrime kanë arritur të sigurojnë Bujar Osmani nga BDI, Arben Taravari nga VLEN (Aleanca për Shqiptarët – krahu i Taravarit, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike), Biljana Vankovska nga E majta (Levica), Maksim Dimitrievski nga ZNAM dhe Stevçe Jakimovski nga GROM.

Gjendja e numrit të nënshkrimeve të mbledhura për kandidatët për President të shtetit, deri më datë 02.03.2024, ora 20:00. Foto: Printscreen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ)
Gjendja e numrit të nënshkrimeve të mbledhura për kandidatët për President të shtetit, deri më datë 02.03.2024, ora 20:00. Foto: Printscreen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ)

Zgjedhje të dyfishta

Zgjedhjet e shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare.