Osmani i mblodhi nënshkrimet për president, edhe pak ju duhen Taravarit, Dimitrievskit dhe Vankovskës

Tre kandidatë, prej gjithsej 11 të cilët mbledhin nënshkrime më zgjedhjet e ardhshme presidenciale, janë afër numrit të nevojshëm 10.000, ndërkaq njëri vetëm se i ka mbledhur, shkruan Portalb.mk.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri më 26 shkurt, më së shumti nënshkrime ka mbledhur Bujar Osmani nga BDI, gjegjësisht 10.528.

Pas tij është Maksim Dimitrievski nga partia “ZNAM”, i cili ka mbledhur 8.400 nënshkrime dhe i mungojnë edhe 1.600.

I treti në radhë është Arben Taravari nga opozita shqiptare, i cili ka mbledhur gjithsej 7.513 nënshkrime dhe i mungojnë edhe 1.645.

Kandidatja e Levicës, Biljana Vankovska, ka mbledhur 6.237 nënshkrime, ndërkaq Stevço Jakimovski nga GROM, 4.718 nënshkrime.

Mersiha Smajloviq ka mbledhur gjithsej 696 nënshkrime, ndërkaq kandidati Velo Markovski 682 nënshkrime. Deri më tani, asnjë nënshkrim nuk ka mbledhur kandidati Tome Nikolloski.

Prej të premten, kur zyrtarisht filloi mbledhja e nënshkrimeve, deri të premten në mbrëmje, për të gjithë 11 kandidatët janë mbledhur gjithsej 39.078 nënshkrime.

Mbledhja e nënshkrimeve do të zgjatë 8 ditë, duke filluar nga 23 shkurti.

Përveç mbështetjes së deputetëve, me nënshkrime të qytetarëve do të plotësohet edhe kandidatura e Gordana Siljanovska Davkoa nga VMRO-DPMNE. Ajo filloi që t’i mbledh nënshkrimet një ditë pas konventës partiake më 2 mars, në të cilën u zyrtarizua kandidatura për presidente.

Nënshkrime, siç transmetojnë mediat, do të mbledh edhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, i cili e gëzon mbështetjen e LSDM-së.

Kandidatët për president 

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski nga kryesia e lartë e LSDM-së në pushtet mori përkrahje për mandatin e dytë. LSDM-ja informoi se në mbledhje të kryesisë është vendosur që Stevo Pendarovski të përkrahet si kandidat për kryetar të shtetit. Ky vendim do t’u prezantohet anëtarëve të Bordit Ekzekutiv dhe Qendror të partisë. Siç njoftoi kjo parti, janë planifikuar takime me partnerët e koalicionit për ditët në vijim, ndërsa konventa zyrtare promovuese do të mbahet më 3 mars 2024.

Ndërsa kandidati i vetëm i regjistruar në njoftimin publik të VMRO-DPMNE-së është deputetja Gordana Siljanovska Davkova. VMRO-DPMNE njoftoi se në shpalljen publike të partisë për kryetare të shtetit ka aplikuar Gordana Siljanovska-Davkova. Kandidimi i saj do të vendoset nga delegatët e Konventës për përzgjedhjen e një kandidati presidencial, e cila do të mbahet më 2 mars 2024.

Pendarovski dhe Siljanovska Davkova ishin kundërshtarë edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2019, në raundin e parë dhe në raundin e dytë , kur kreu aktual i shtetit fitoi në raundin e dytë.

Kandidatura për president kanë shpallur Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike).

Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Bujar Osmani Arben Taravari
Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Bujar Osmani Arben Taravari

E Majta (Levica) ka propozuar për kandidate Biljana Vankovskën e cila njihet për gjuhë të urrejtjes.

Bashkimi Demokratik Boshnjak për here të parë do të ketë kandidat për president, Mersiha Smailoviq do të garojë nga ky subjekt.

Kryesia qendrore e GROM-it i dha përkrahje kryetarit të partisë, Stevço Jakimovski.

Kandidaturë për president ka shpallur edhe Maksim Dimitrievski, kryetar i partisë ZNAM.

Kandidaturë të pavarur ka paralajmëruar edhe Velo Markovski.

Afatet

Afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për president dhe për kandidatë për deputetë filloi të premten më 23 shkurt dhe do të zgjasë deri më 8 mars, sipas orareve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10.000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën Zgjedhore, ndërsa kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.

Listat e kandidatëve për kryetar të shtetit pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t’i dorëzojnë KSHZ-së më së voni deri më 19 mars në mesnatë. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve vlen si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare.

Zgjedhje të dyfishta

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare.