Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në prill të vitit 2028, tha Mickoski
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen diku në prill të vitit 2028, ndërsa mandati im si kryeministër përfundon pas pak më shumë se një viti. Këtë e deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse fushata në terren e VMRO-DPMNE-së në pushtet, e titulluar “Sy më sy me popullin”, është përgatitje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, qëllimi i fushatës është që partia të njihet më mirë me problemet e qytetarëve, në mënyrë që gjatë kësaj periudhe t’i përmirësojë politikat e saj dhe disa prej tyre më pas t’i përfshijë në programin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në prill të vitit 2028.
“Deri në fund të dhjetorit 2027 do të kemi zgjedhjen e qeverisë teknike, kështu që do të thoja se mandati im si kryeministër është pak më shumë se një vit e një muaj. Është e logjikshme që edhe unë si kryeministër, edhe Qeveria, duam të dëgjojmë edhe se ku jemi më pak të suksesshëm, në mënyrë që të jemi më të suksesshëm nëse kjo është e mundur gjatë kësaj periudhe, e nëse jo, në mandatin e ardhshëm. Ky është qëllimi i këtij aktiviteti në terren, sy më sy me qytetarët”, deklaroi Mickoski.
I pyetur të komentojë akuzat e LSDM-së se përmes kësaj fushate në terren VMRO-DPMNE po kopjon strategjitë politike dhe zgjedhore të ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai tha:
“Nuk mund ta komentoj opozitën për çdo deklaratë, qëndrimet e tyre ua lë atyre”.
VMRO-DPMNE-ja në pushtet njoftoi dje se deri në fund të vitit, lideri i partisë, Hristijan Mickoski, së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, do të fillojnë vizita intensive në komitetet komunale dhe vendbanimet në të gjithë vendin, për të dëgjuar drejtpërdrejt nga qytetarët për problemet e tyre.
Kujtojmë se Mickoski, disa herë këtë vit e ka përsëritur idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Edhe në tetor, shtator, maj dhe qershor të këtij viti, ai tha së shpejti do të ketë zgjedhje,për të shtuar një ditë më pas se dëshiron që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2028.