“Levica”: Biljana Vankovska i grumbulloi 10 mijë nënshkrimet e nevojshme për kandidat presidencial

Partia politike “Levica” (E Majta) sonte informoi se kandidatja e tyre presidenciale Biljana Vankovska ka arritur t’i grumbullojë 10 mijë nënshkrimet e qytetarëve të nevojshme për të hyrë në garën për president të shtetit, njofton Portalb.mk.

“Levica ka kandidat presidencial! Profesoresha Biljana Vankovska do të jetë presidente e Republikës së Maqedonisë! Ju falënderojmë për mbështetjen prej mbi 10.000 nënshkrime, për këtë betejën tonë të përbashkët”, shkruan në fejsbuk-publikimin e “Levicës“.

Paraprakisht, gjatë ditës së sotme edhe kryetari i Komunës së Kraposhit, Stevçe Jakimovski informoi se i ka grumbulluar 10 mijë nënshkrimet e nevojshme për të zyrtarizuar kandidaturën e tij në garën presidenciale. Ndërsa, nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka njoftuar që kandidati Stevo Pendarovski ka dorëzuar nismën për mbledhjen e nënshkrimeve.

“Sot, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve është dorëzuar Iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e Stevo Pendarovskit. Nënshkrimet do të mblidhen në Njësitë/Zyrat rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në të gjithë territorin e vendit”, njoftoi Komisioni.

Zgjedhjet e shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Ndryshe, prej gjithsej 11 kandidatëve, deri tani Bujar Osmani nga BDI-ja, Arben Taravari nga VLEN dhe Maksim Dimitrievski nga ZNAM kanë arritur të sigurojnë nënshkrimet.