Kandidati Arben Taravari i mblodhi mbi 10 mijë nënshkrime në garën për President

Kandidati i opozitës shqiptare VLEN, Arben Taravari, ka arritur të mbledhë mbi 10 mijë nënshkrime të qytetarëve për të marrë pjesë në garën për President në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Falemnderoj secilin nga ju që në një kohë rekord nënshkruat për kandidaturën time për President! Le të jetë kjo fushatë e dedikuar e gjitha për Ju!”, deklaroi Taravari pas mbledhjes së nënshkrimeve.

Bashkim Bakiu nga Aleanca për Shqiptarët ka vlerësuar që nënshkrimet e opozitës do të siguroheshin brenda një dite pune, nëse kapacitetet administratës së Komisionit Shtetëror Zgjedhor do të mundësonte një gjë të tillë.

Ndryshe, prej gjithsej 11 kandidatëve, vetëm Bujar Osmani nga BDI-ja dhe Arben Taravari nga opozita kanë arritur të sigurojnë nënshkrimet.

Zgjedhje të dyfishta

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare.