RMV-ja i ka dërguar KE-së dy nga tre Udhërrëfyesit që janë kusht për hapjen e Klasterit të gjyqësorit dhe administratës

Udhërrëfyesi për sundimin e së drejtës, i cili përfshin reformat në Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe Udhërrëfyesi për Reformat në administratën publike, i cili fokusohet në ndërtimin e administratës profesionale janë pregatitur dhe më 28 dhjetor 2023 i janë dërguar Këshillit të BE-së. Vetëm Udhërrëfyesi i tretë për funksionimin e institucioneve demokratike është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe pasi të konsultohet me palët e interesuara gjithashtu do t’i dorëzohet KE-së, njoftuan nga Sekretariati për Çështje Evropiane për Portalb.mk.

Me Metodologjinë e re për negociatat aderuese nga marsi 2020 dhe siç përcaktohet me Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, të cilën e miratoi Këshilli i BE-së në korrik të vitit 2022, parashihen të përmbushen dy kushte për hapjen e Klasterit 1: Vlerat themelore dhe atë përgatitja e Udhërrëfyesit për Sundimin e së drejtës dhe Udhërrëfyesi për Reforma në  administratën publike, ndërkaq Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike nuk është kusht, por është detyrim që do të duhet ta përmbushim.

Në kornizën negociuese qëndron edhe obligim përgatitja e Planit Aksional për avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve.

Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Letrën e dërguar nga kryesimi Spanjoll me Këshillin e BE-në për Udhërrëfyesit, Maqedonia e Veriut e mori në mes të nëntorit 2023.

“Në të të shënohet se pas përfundimit të skriningut për Klasterin 1, Bashkimi Evropian konsideron se mund të parashihet hapja e këtij Klasteri pasi të përfundojë faza e hapjes së negociatave aderuese në Konferencën ndërqeveritare dhe pasi BE-ja të dakordohet që vendi i plotëson dy pikë referimet, respektivisht të përgatit dhe të miratoj Udhërrëfyesin për reforma në administratën publike dhe Udhërrëfyesin për Sundimin e së drejtës me Plan Veprim shoqërues për avancimin e të drejtave të personave që u përkasin pakicave/komuniteteve. Gjithashtu pritet që këto dokumente të përgatiten në proces transparent dhe gjithëpërfshirës”, thotë për Portalb.mk, Drita Abdiu Halili.

Sa udhërrëfyes gjithsej duhet të përgatiten dhe dorëzohen?

Tanimë siç është theksuar, duhet të përgatiten gjithsej tre udhërrëfyes, edhe atë:

Udhërrëfyesi për sundimin e së drejtës, i cili përfshin reformat në Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe Kapitulli 24, “E drejta, liria dhe siguria”, respektivisht reformat lidhur me gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, avancimin e të drejtave të njeriut, reformat lidhur me fushat e azilit dhe migracionit, parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, etj.

Udhërrëfyesi për Reformat në administratën publike, i cili fokusohet në ndërtimin e administratës profesionale në shërbim të qytetarëve dhe përforcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e ligjeve dhe politikave të cilët janë harmonizuar me standardet evropiane.

Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike, që nuk do të jetë pikë referimi për hapjen e Klasterit, me masa për përforcimin e qeverisjes demokratik në të gjitha nivelet, edhe atë lidhur me punën e Kuvendit, procesin zgjedhor dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset demokratike.

A janë përgatitur, nëse jo kur pritet të jenë gati?

SÇE, në përputhje me kompetencat e veta për koordinimin e procesit të BE-së, thotë Halili, filloi me aktivitetet për përgatitjen e udhërrëfyesve që nga qershori i vitit 2023 dhe në vazhdimësi u mbajtën takime dhe konsultime me të gjitha institucionet kompetente, si dhe me Komisionin Evropian.

Paralelisht me këtë, MPJ, në koordinim me SÇE-në dhe institucionet përkatëse, filluan me përgatitjen e draft planit të veprimi për avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve.

Bazë për përgatitjen e udhërrëfyesve është skrining Raporti për Klaster1, të cilin KE-ja e publikoi në fund të korrikut 2023, si dhe Raportin për vendin nga nëntori vitin e kaluar.

Drita Abdiu Halili. Foto: SÇE
Drita Abdiu Halili. Foto: SÇE

“Në përgatitjen e udhërrëfyesve, si dhe të takimeve me KE-në, në mënyrë aktive u përfshinë dhe morën pjesë institucionet përgjegjëse për kapitullin 23 Ministria e Drejtësisë, për kapitullin 24 Ministria e Punëve të Brendshme, për RAP Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratë, si dhe numër i madh institucionesh të tjera: Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, Komisioni për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Diskriminimit, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, Prokuroria Publike, Ministria e Kulturës, Enti Shtetëror për Statistikë, Kabineti i ZKQ-së për Politika të Qeverisje së mirë, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Sekretariati i Përgjithshëm, Ministria e Financave dhe Kuvendi”, shton Abdiu Halili.

A ka caktuar KE-ja afat për dorëzimin e tyre?

Pasi i dorëzuam udhërrëfyesit KE-së, thotë Abdiu Halili, të njëjtat do të duhet të miratohen sipas procedurave të tyre. Respektivisht, Komisioni duhet të përgatisë të ashtuquajturin Raport Vlerësimi për pikë referimet për hapje (OBAR) dhe së bashku me udhërrëfyesin ta dorëzojë në Këshillin e BE-së.

“Dokumentet do të shqyrtohen në organet e Këshillit – KOELA (grupi punues për zgjerim), KOREPER dhe në fund Këshilli. Të njëjtët duhet të miratohen unanimisht. Pritshmëria jonë është që kjo procedurë të përfundojë sa më shpejt që është e mundur që të kemi mundësi të hapim Klasterin 1 ndërkaq në ndërkohë do të duhet të kryejmë detyrimin për ndryshimet kushtetuese”, nënvizohen Abdiu Halili.

Në përputhje me kërkesën për gjithëpërfshirje dhe konsultimeve me të gjitha palët e interesuara, udhërrëfyesit u konsultuan me organet kompetente në Kuvend (Këshilli Nacionaë për Euro-integrime dhe Komisioni për Çështje Evropiane), me organizatat e shoqërisë civile, komunitetin akademik dhe Odat ekonomike.

Udhërrëfyesit përmbajnë prioritete të rëndësishme reformuese që do ti kryesojnë negociatat aderuese në këta kapituj si pjesë e përgatitjes së vendit për të përmbushur kërkesat e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.

Këshilli i BE-së Bashkimi Evropian BE Eurointegrime. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Këshilli i BE-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sidoqoftë, përveç Udhërrëfyesve, kusht për hapjen e Klasterit 1 janë edhe ndryshimet kushtetuese, që tani kanë mbetur pezull, veçanërisht pas formimit të Qeverisë teknike e madje sipas ekspertëve, vështirë se mund të ndodhin para zgjedhjeve të këtij viti.

Ndryshe, procesi i skriningut mbaroi më 7 dhjetor, me skriningun bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”.

Sekretariati për Çështje Evropiane theksoi që në këtë kapitull, Maqedonia e Veriut ka 100 % harmonizim të legjislacionit me BE-në për shkak se është anëtar i NATO-s.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.