Maqedonia e Veriut në situatë të pafavorshme në rrugën eurointegruese, çfarë pas skriningut?

Maqedonia e Veriut momentalisht nuk është në situatë të favorshme në rrugën e saj eurointegruese, megjithatë, ekspertët vlerësojnë se situata nuk është e pashpresë. Procesi i skriningut ka përfunduar, megjithatë, ndryshimet kushtetuese, kushti bazë për të vazhduar rrugëtimi më tej nuk është përmbushur. Përveç ndryshimeve kushtetuese, për Maqedoninë e Veriut, kusht për hapjen e negociatave në Klasterin e parë janë përgatitja dhe dorëzimi i Udhërrëfyesve, Planit aksionar për minoritete, të parapara në kornizën negociuese. Pas përmbushjes së kushteve, Këshilli miraton një raport vlerësimi të kushteve të hapjes (Opening benchmark assessment report) dhe fton vendin të dorëzojë pozicionet e veta negociuese, transmeton Portalb.mk.

Selim Ibraimi, foto nga arkivi personal
Selim Ibraimi, foto nga arkivi personal

Njohësi i çështjeve eurointegruese, Selim Ibraimi, thotë se në tërësi viti 2024 mund të konsiderohet viti kur Maqedonia e Veriut qartë shkon drejt hapjes së negociatave me BE-në. Skenari tjetër i dështimit të eurointegrimeve, sipas tij, ka pak gjasa të ndodhë. Megjithatë, shton Ibraimi, nuk do të jetë lehtë të arrihen objektivat dhe të përmbushen kushtet e marrëveshjes me Bullgarinë dhe sigurisht me BE-në.

“Ndarja me Shqipërinë do ta vendosë Maqedoninë e Veriut në grupin e shteteve tjera të Ballkanit që për arsye të ndryshme presin t’i hapin negociatat. Në fund përsëri besoj se ndryshime kushtetuese do të kemi në 2024. Për shkak të pesimizmit në Maqedoninë e Veriut gjithnjë ekziston një dozë e frikës se klasa politike mund të ketë para vetes çështje tjera që nuk kanë të bëjnë me zotimet e qeverisë”, thotë Ibraimi. 

Ekspertja për BE dhe themeluese e Institutit për Politika Evropiane – EPI, Malinka Ristevska Jordanova, ajo që është problem tani është të mos ketë më tej procese retrograde, siç janë vërejtur tashmë në procesverbalin e Këshillit – si ndryshimet në Kodin Penal dhe situata në Këshillin Gjyqësor.

“Për shembull, në të njëjtat konkluza, përsëritet se rekomandimet për zgjedhjet e OSBE/ODIHR-it duhet të zbatohen “në kohë”, dhe ajo “në kohë” tashmë ka skaduar. Si në fushatë, ashtu edhe pas zgjedhjeve, është e rëndësishme që të mbahen “kokë të ftohta”, në mënyrë që dallimet aktuale në pikëpamjet për rrugën e integrimit evropian të mos kenë pasoja më serioze në kohezionin social në vend dhe veçanërisht – në  marrëdhëniet ndëretnike”, thotë Ristevska.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Sa i përket “ndarjes” së Shqipërisë, shton Ristevska, ato tashmë formalisht janë të ndarë nga fakti se Shqipëria ka përfunduar Konferencën e Parë Ndërqeveritare, Maqedonia – jo. Se a do të fillojë të shihet kjo realisht – do të shihet pas mbledhjes së Këshillit Evropian dhe nëse do të hiqet bllokada aktuale nga Greqia. Sido që të jetë, gara do të jetë e gjatë, kështu që ka shumë më tepër kuptim të kemi një pamje më afatgjatë sesa pozicioni aktual në “listë”, vlerëson ekspertja për BE Malinka Ristevska Jordanova.

Drita Abdiu Halili, kryenegociatore me Bashkimin Evropian nga Sekretariati për Çështje Evropiane, në një bisedë për Portalb.mk, pas përfundimit të Skriningut pritet publikimi i Raporteve të skriningut nga Komisioni Evropian. Tashmë tashmë publikuar Raporti i Skriningut për Klasterin 1 – Vlerat Themelore, ndërsa është duke u punuar në finalizimin e Raportit për Klasterin 2 – Tregu i Brendshëm,  i cili pritet të finalizohet pas festave të fund vitit, por edhe në përpilimin e raporteve për 4 klasterët e mbetur.

“Procesi i anëtarësimit në BE është i definuar me hapa konkret. Fillimisht Komisioni kryen një ekzaminim të detajuar, së bashku me vendin kandidat, për çdo fushë ose kapitull, për të përcaktuar se sa është i përgatitur vendi, dhe kjo n në fakt paraqet vet procesin e skriningut, të cilin sapo e përfunduam. Gjetjet sipas kapitujve, u paraqiten nga Komisioni Evropian, shteteve anëtare në formën e një raport skriningu. Përfundimi i këtij raporti është një rekomandim i Komisionit që të hapë drejtpërdrejt negociatat ose të kërkojë që së pari të përmbushen disa kushte për hapjen e negociatave (opening benchmarks). Për Maqedoninë e Veriut, kusht për hapjen e negociatave në Klasterin e parë janë përgatitja dhe dorëzimi i Udhërrëfyesve, Planit aksional për minoritete, dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese, të parapara në kornizën negociuese. Pas përmbushjes së kushteve, Këshilli miraton një raport vlerësimi të kushteve të hapjes (Opening benchmark assessment report) dhe fton vendin të dorëzojë pozicionet e veta negociuese”, thotë Abdiu

Drita Abdiu Halili. Foto: SÇE
Drita Abdiu Halili. Foto: SÇE

Halili.

Çfarë pas skriningut?

Pas letrës së marrë nga Këshilli i BE-së, për të dorëzuar udhërrëfyesit, shton Abdiu, administrata e RMV-së po punon në mënyrë intensive në përgatitjen e 3 udhërrëfyesve, edhe atë: udhërrëfyesin për Sundimin e Ligjit, Udhërrëfyesin për Reformën në Administratën Publike si dhe Udhërrëfyesi për Funskionimin e Institucioneve Demokratike. Përveç këtyre 3 udhërrëfyesve ne si shtet kemi obligim të dorëzojmë edhe Planin aksional për minoritete.

“Komisioni Evropian edhe njëherë ka konfirmuar mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përkushtimin për procesin e anëtarësimit, përmes prezantimit dhe vënies në funksion të Planit për Zhvillim të Ballkanit Perëndimor. Ky plan përfaqëson një dinamik, i cili ka për qëllim të arrijë efekte të dukshme para anëtarësimit në BE, dhe të rikthejë besueshmërinë e Bashkimit Evropian duke i dhënë shtytje procesit tonë reformues në bvendet e Ballkanit Perëndimor. Plani për Zhvillim parasheh përgatitjen e agjendës reformuese, e cila do të përmbajtë reforma në 4 fusha prioritare për vendin dhe 2 fusha prioritare horizontale, me zbatimin e të cilave do të sigurojmë fonde të cilat do të mund t’i shfrytëzojmë dhe të financojmë projektet e nevojshme që nga mesi i të vitit të ardhshëm”, nënvizon Abdiu.

Sipas saj, procesi zgjedhor në asnjë mënyrë nuk është dhe nuk duhet të jetë pengesë për procesin e negociatave për anëtarësim në BE.

“Nuk jemi as shteti i parë as edhe i fundit i cili  gjatë negociatave të anëtarësimit ka organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, që janë pjesë e standardeve të BE-së të parapara në Klasterin e parë – Vlerat Fundamentale. Ajo e cila ndikon ne procesin e negociatave dhe në dinamikën e progresit të vendit tonë drejt BE-së, është bllokimi i cili po i bëhet procesit integrues nga qarqe të caktuara politike, për arsye politike, duke mos miratuar dhe bllokuar procesin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Këtë e dëshmoi edhe Raporti i Komisionit Evropian, në të cilin qartë thuhet se opozita është ajo e cila i bllokon rrugën evropiane si dhe implementimin e reformave. Tani këtë e kërkon vetë Bashkimi Evropian. Edhe thirrjet para fillimit të Samitit BE- Ballkani Perëndimor, ishin po të njëjtat, të mos e ndalojmë procesin, të ruajmë dinamikën, të miratojmë ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojmë me fazën e dytë të negociatave apo hapjen e klasterëve”, thotë Abdiu Halili.

Kujtojmë se procesi i skriningut mbaroi më 7 dhjetor, me skriningun bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”.

Sekretariati për Çështje Evropiane theksoi që në këtë kapitull, Maqedonia e Veriut ka 100 % harmonizim të legjislacionit me BE-në për shkak se është anëtar i NATO-s.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.