Ndryshimet kushtetuese të RMV-së në qorrsokak, para zgjedhje e pamundur të ndodhin

Gjasat janë të vogla, në mos të pamundura që ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut të ndodhin para zgjedhjeve parlamentare, konsiderojnë ekspertët për Portalb.mk. Edhe nëse kjo do të ndodhte, mund të bëhej vetëm me presion ndërkombëtar ndaj VMRO DPMNE-së e cila tani për tani nuk lëshon pe. Ndryshimi i kushtetutës, siç thonë, do t’i mbetet përbërjes së re qeveritare.

Ismet Ramadani vlerëson se mbledhja e fundit BE-Ballkani Perëndimor, na tregon se po ndahemi nga rruga drejt integrimit, tani me fajin tonë, respektivisht me fajin e VMRO-së dhe satelitëve të saj. Sipas tij, është pritur që kjo parti do të kthjellohen politikisht dhe do marrë qëndrim pozitiv drejt votimit të ndryshimeve kushtetuese dhe kjo do të ishte garancë që Maqedonia e Veriut t’i fillojë bisedimet konkrete duke i hapur të gjitha kapitujt, që në një mënyrë është një hyrje serioze në reforma.

Ramadani shton se tani po hyjmë në një rreth vicioz, por ai shpreson se amerikanët, si partner strategjik por edhe BE-ja do të kenë interesin e tyre që këto struktura të VMRO-së të mos të fitojnë aq fuqi dhe forcë politike që të ndryshojnë diskursin e Maqedonisë së Veriut, respektivisht largimin nga integrimet euroantlantike.

Ismet Ramadani. Foto nga faqja në Facebook e Këshilit euro-atlantik të Maqedonisë
Ismet Ramadani. Foto nga faqja në Facebook e Këshilit euro-atlantik të Maqedonisë

“Tani shtohet pyetja a kemi apo s’kemi kohë që ta bëjmë këtë ndryshim të kushtetutës. Ka kohë, por fatkeqësisht nuk ka indikacione në VMRO që definitivisht të vendosin për votim të ndryshimeve. Ajo që po më brengos pak është kam pritur se ndërkombëtarët, sidomos SHBA-së do të bëjnë një presione më të dukshëm drejt VMRO-DPMNE-së. Shumë pak gjasa të ndryshojë kushtetuta para zgjedhjeve, nëse këto ditë sidomos ShBA ndërhyn, por pa ekuivoke, d.m.th. direkt presion VRMO-së, se tek e fundit e kanë këtë të drejtë, pasi ne jemi partner strategjik me ShBA-të dhe nëse largohemi atij partneriteti dhe VMRO dhe satelitët e saj na ofrojnë ndonjë partneritet me ndonjë forcë politike krejt tjerë, qoftë ajo Rusia, atëherë këtu ndërhyrja duhet të jetë shumë direkte dhe pa rezerva se po ndërhyjnë në punë të brendshme të Maqedonisë, se tek e fundit, sovraniteti i Maqedonisë në partneritet me ShBA-të është i deleguar edhe në opsionin euroantlantik, respektivisht me ShBA-të”, nënvizon Ramadani.

Nëse fiton VMRO-DPMNE-ja, thotë Ramadani, neve do të na përsëritet ai 10-vjeçari i VMRO-së në pushtet me Gruevskin.

Për dallim nga Ramadani, ish ambsa Nano Ruzhin, nuk mendon se nëse fiton VMRO-ja do ta kundërshtojë orientimin evropian të vendit. Lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe hyrjen e vendit në BE, Ruzhin thotë se në politikë nuk mund asgjë të parashikosh dhe se gjithçka është e mundur, duke iu referuar rekomandimit të BE-së për nisjen e negociatave me Ukrainën, diçka që ai nuk e kishte pritur aspak.

Nano Ruzhin. Foto nga profili i tij në Facebook
Nano Ruzhin. Foto nga profili i tij në Facebook

“Në këtë mënyrë i shoh edhe mundësitë që para zgjedhjeve të miratohen amendamentet kushtetuese që janë të lidhura me BE-në, pasi nuk e dimë, nuk kemi asnjë informacion. Nëse ekzistojnë takime të përbashkëta, nëse dikush ka ndërmjetësuar mes VMRO-së, LSDM-së dhe BDI-së.  Kështu që kjo çështje është në një pikëpyetje të madhe, por ne si të gjithë analistët, thirremi në parametra të caktuar që mund të na ndihmojnë. Ndërkohë shohim se ai diskutim në njëfarë forme po defokusohet, që d.m.th. nuk është diskutim vetëm mes dy partive politike, mund që njëra apo tjetra palë kanë lëshuar pe në aspekte të ndryshme. E pamë se ndodhi ndryshimi i Kodit Penal, pastaj  ndodhi një mënyrë konsultimi me bashkësinë ndërkombëtare. Kështu që përgjigjja e kësaj pyetjeje është se gjithçka është e mundur, por jo me çdo çmim”, thotë Ruzhin.

Ai thotë se nuk mund ta dimë se si do të evoluojnë Shqipëria dhe Maqedonia në ambiciet e tyre në BE për lëvizjen e procesit, por sigurisht , derisa ne vazhdojmë me kokëfortësi dhe nuk e konsiderojmë faktorin kohë si element domethënës në garën për në BE, ne mund të humbim shumë.

Edhe analisti Selim Ibraimi, konsideron se gjasat janë të vogla që ndryshimet kushtetuese të ndodhin para zgjedhjeve të vitit 2024.

Selim Ibraimi, foto nga arkivi personal
Selim Ibraimi, foto nga arkivi personal

“Përpjekjet e qeverisë dhe të ndërkombëtarëve për ndryshime para përfundimit të vitit nuk dhanë rezultate në VMRO-DPMNE. Opsionet tjera janë të vështira dhe kërkojnë aktivitete që nuk bien në sy dhe veshin e publikut. Si mundësi për ndryshime gjatë 2024-ës shihet përbërja e re qeveritare e cila deri më tani ka dhënë garanci se marrëveshja me Bullgarinë do të respektohet. Poqese VMRO-DPMNE do të arrijë të formojë qeverinë nuk besoj se nuk do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese kuptohet deri sa të shterohen argumentet e tyre publike”, thotë Ibraimi.

Ekspertja për BE dhe themeluese e Institutit për Politika Evropiane – EPI, Malinka Ristevska Jordanova, mendon se ndryshimet kushtetuese nuk ka logjikë të ndodhin para zgjedhjeve, por se do të jetë aktuale gjatë fushatës.

“Po vjen një periudhë e cila do të jetë e vështirë për procesin e integrimit evropian – si në planin e zbatimit të “propozimit francez” ashtu edhe për reformat. Nuk besoj se do të ketë ndryshime kushtetuese para zgjedhjeve – kjo nuk ka logjikë politike. Kjo çështje do të jetë aktuale në fushatë, por praktikisht – pas zgjedhjeve”, thotë Ristevska.

Lidhur me këtë situatë, nga Sekretariati për Çështje Evropiane thonë se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mandat të miratojë apo të vazhdojë procedurën parlamentare për ndryshimet kushtetuese deri në shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.

“Ajo që është e rëndësishme të thuhet, është që kemi një front të konsoliduar politik pro-evropian, që është i gatshëm të shtyjë parapara proceset me qëllim arritjen e qëllimit strategjik të vendit tonë, e ai është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Nuk mund të lejojmë që si shtet, shkaku i orientimeve të dyshimta apo lojërave politike të disa forcave politike, të rrezikojmë procesin e filluar dhe drejtimin evropian të shtetit. Në Bashkimin Evropian kemi shumë miq dhe partnerë që na përkrahin për të vazhduar këtë rrugë. Tani fjalën e kemi ne, me një vendim të vetëm, mundemi të fitojmë por edhe të humbasim shumë”, thonë nga SÇE.   

Kujtojmë se më 14 dhjetor, krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së dje gjatë Samitit të BE-së në kuadër të debatit për zgjerimin e BE-së miratuan konkluzionet për procesin për vendin tonë, duke treguar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të përfundojë fazën e hapjes së negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, sapo vendi të ketë zbatuar zotimin e tij për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në përputhje me procedurat e saj të brendshme, siç thuhet në vendimet e Këshillit të BE-së të datës 18 korrik 2022.

Samiti i BE-së. Foto: Këshilli i Evropës
Samiti i BE-së. Foto: Këshilli i Evropës

Ndryshe, procesi i skriningut mbaroi më 7 dhjetor, me skriningun bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”.

Sekretariati për Çështje Evropiane theksoi që në këtë kapitull, Maqedonia e Veriut ka 100 % harmonizim të legjislacionit me BE-në për shkak se është anëtar i NATO-s.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.