RMV, dita e dytë e debatit rreth Propozim buxhetit të propozuar për vitin 2024

Kuvendi në kuadër të vazhdimit të sotëm të mbledhjes së 135-të debaton rreth Propozim buxhetit të plotësuar për vitin 2024, raporton MIA. Për opozitën ky është buxheti më megaloman deri më tani, i cili është joreal, nuk ka vizion të qartë dhe i cili do të ketë pasoja për qytetarët në tërë vitin 2024. Për shumicën në pushtet, ndërkaq, është real, zhvillimor dhe do të sigurojë rritje të qëndrueshme ekonomike. 

Paraprakisht në debatin e përgjithshëm, Dime Velkovski nga LSDM theksoi se buxheti për viti9n 2024 duhet të sigurojë rritje të qëndrueshme ekonomike, likuiditet në pjesën e financave, konsolidim fiskal, përforcim të qëndrueshmërisë fiskale dhe zbatim të masave të targetuara për mbështetje të ekonomisë dhe të kategorive të ndjeshme të qytetarëve.

Velika Stojkova Serafimovska nga VMRO-DPMNE theksoi se në fushën e mjedisit jetësor dhe ndotjes së ajrit nuk është bërë gjithçka që është premtuar nga shumica në pushtet në vitet e kaluara dhe se në propozim buxhetin nuk janë pranuar amendamentet të cilat ishin parashtruar nga opozita në bashkëpunim me sektorin joqeveritar.

Bedri Fazli nga BDI theksoi se në propozim buxhetin janë siguruar mjete shtesë për infrastrukturën, shëndetësinë, mjedisin jetësor, arsimin, mbrojtjen sociale, bujqësinë, transportin, turizmin, etj.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Lidija Petkovska theksoi se ky nuk është propozim buxhet për vitin 2024, por është propozim-buxhet deri në zgjedhje.

“Po t’i kishte planifikuar vërtet Qeveria këto shuma, deficiti buxhetor do të ishte 717 milionë euro, por kjo nuk është e pëlqyer nga ata që na japin hua, prandaj, përveç qytetarëve, Qeveria po gënjen edhe kreditorët. Ky është një buxhet i fryrë dhe jo zhvillimor, që nuk sjell zhvillim, por sjell krim dhe korrupsion. Buxheti i shtetit duhet të përdoret për të financuar zhvillimin e vendit, por këtu tek ne paratë përfundojnë për qëllime joproduktive ose për populizëm të pastër. Në vend të vlerës së shtuar, paratë shpenzohen për gjëra nga të cilat përfitojnë individët”, tha Petkovska.

Ajo thekson se as ky buxhet dhe as buxheti i mëparshëm nuk kanë lidhje me gjendjen e vërtetë në shtet.

Deputetja e LSDM-së, Lolita Ristova theksoi se Qeveria aktuale vazhdimisht punon në projekte për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.

“Nëse po flasim për vazhdimësi në projekte infrastrukturore, duhet ta dini se kjo Qeveri e udhëhequr nga LSDM-ja në vazhdimësi nga viti 2017 deri në vitin 2023 në vazhdimësi dhe me efekte tregon në terren dhe se kështu do t’ju tregoj me projekte konkrete – rikonstruimin e aksit rrugor Negotinë – Glishiq – Kavadar, rehabilitimin e aksit rrugor Negotinë – Dubrovë – Vojshancë. Në vazhdimësi janë bërë investime në fushën e përmirësimit të infrastrukturës arsimore. Vazhdojnë aktivitetet për ndërtimin e një kopshti të ri. Është efekt i funksionimit të këtij pushteti qendror. Të gjitha këto janë aktivitete që kjo Qeveri i bën në vazhdimësi”, tha Ristova.

Debati do të vazhdojë nesër në orën 11:00.

Ndryshe, më 22 dhjetor në seancën plenare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut filloi diskutimi për leximin e dytë të propozim-buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2024. Debati do të zgjat pesë ditë.

Më 18 dhjetor, në seancën e 210-të, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar plotësimin e tekstit për propozim-buxhetin e vitit 2024, që do të dërgohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për miratim.

Më 7 dhjetor në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet filloi shqyrtimi i amendamenteve për Buxhetin për vitin 2024. Për Propozim-buxhetin janë parashtruar gjithsej 272 amendamente, prej të cilëve 250 janë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 14 nëntor ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave.

“Janë siguruar pensionet dhe rrogat më të mëdha, si dhe 733 milionë euro për investime kapitale”, sqaruan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 do të jetë 5.5 miliard euro shpenzime, apo 5.8 përqind më shumë se viti i kaluar. Qeveria llogariti që shkalla e inflacionit për vitin 2024 do të jetë 3.6 përqind. Me të ardhura rreth 310.1  miliard denare dhe shpenzime 343.6 miliard denarë, pritet të ketë deficit buxhetor 33.5 miliard denarë.

Ministri Fatmir Besimi sqaroi që vetëm për rritjen e pagave janë siguruar 160 milionë euro dhe 170 milionë euro për rritjen e pensioneve. Besimi, ka sqaruar që në buxhetin për vitin 2024 është planifikuar rritje të mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik. Për investime kapitale pritet të ketë 45.1 miliard denarë për investime në projektet tashmë t¡ filluara në infrastrukturën e arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit dhe fusha tjera.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.