Kuvendi e filloi debatin për buxhetin e vitit 2024, Besimi premtoi mjete për rritjen e rrogave dhe pensioneve

Në seancën plenare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut filloi diskutimi për leximin e dytë të propozim-buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2024. Debati do të zgjat pesë ditë, transmeton Portalb.mk.

“Në Buxhetin e vitit 2024 janë siguruar për 6.7% më shumë mjete krahasuar me vitin 2023 për pagesën e rregullt të pagave për të punësuarit në sektorin publik, pagesën në kohë dhe të rregullt të pensioneve, të ardhurave minimale të garantuara dhe të drejtat e tjera sociale, pagesën e subvencioneve në bujqësi, përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkrahjen dhe subvencionimin e aktiviteteve inovative të ndërmarrjeve”, deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ai theksoi që investimet kapitale janë në nivelin prej 45.2 miliardë denarë.

“Në Buxhetin e vitit 2024, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 310.1 miliardë denarëve dhe janë për 10% më të larta se në vitin 2023, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 343.6 miliardë denarëve ose rreth 5.8% më të larta në raport me vitin 2023”, raportoi Besimi, duke shtuar që deficiti buxhetor do të jetë 33.5 miliardë denarë.

“Me procedurën e re më të thjeshtësuar, procesi i punësimit në sektorin publik do të bëhet në bazë të planit të miratuar të punësimit për shfrytëzuesin buxhetor ose institucionin, si dhe në bazë të buxhetit të votuar në Kuvend, plotësuar me deklaratën e personit udhëheqës të institucionit për mjetet financiare të siguruara për punësim për të cilën mbahet përgjegjësi” theksoi ministri Besimi për procedurat e thjeshtëzuara dhe decentralizimin e punësimeve në sektorin publik.

Ndryshe, më 18 dhjetor, në seancën e 210-të, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar plotësimin e tekstit për propozim-buxhetin e vitit 2024, që do të dërgohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për miratim.

Më 7 dhjetor në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet filloi shqyrtimi i amendamenteve për Buxhetin për vitin 2024. Për Propozim-buxhetin janë parashtruar gjithsej 272 amendamente, prej të cilëve 250 janë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 14 nëntor ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave.

“Janë siguruar pensionet dhe rrogat më të mëdha, si dhe 733 milionë euro për investime kapitale”, sqaruan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 do të jetë 5.5 miliard euro shpenzime, apo 5.8 përqind më shumë se viti i kaluar. Qeveria llogariti që shkalla e inflacionit për vitin 2024 do të jetë 3.6 përqind. Me të ardhura rreth 310.1  miliard denare dhe shpenzime 343.6 miliard denarë, pritet të ketë deficit buxhetor 33.5 miliard denarë.

Ministri Fatmir Besimi sqaroi që vetëm për rritjen e pagave janë siguruar 160 milionë euro dhe 170 milionë euro për rritjen e pensioneve. Besimi, ka sqaruar që në buxhetin për vitin 2024 është planifikuar rritje të mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik. Për investime kapitale pritet të ketë 45.1 miliard denarë për investime në projektet tashmë t¡ filluara në infrastrukturën e arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit dhe fusha tjera.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.