U miratua Buxheti për vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut, Qeveria paralajmëroi rritje të pensioneve dhe rrogave
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave, transmeton Portalb.mk.
“Janë siguruar pensionet dhe rrogat më të mëdha, si dhe 733 milionë euro për investime kapitale”, sqaruan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 do të jetë 5.5 miliard euro shpenzime, apo 5.8 përqind më shumë se viti i kaluar.
Qeveria llogariti që shkalla e inflacionit për vitin 2024 do të jetë 3.6 përqind. Me të ardhura rreth 310.1 miliard denare dhe shpenzime 343.6 miliard denarë, pritet të ketë deficit buxhetor 33.5 miliard denarë,
“Janë siguruar edhe mjete për mekanizmat sistematik për rritjen e vazhdueshme të rrogave në sektorin publik në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, rritjen e pensioneve dhe më shumë mjete për komunat”, raportoi Qeveria
Ministri Fatmir Besimi sqaroi që vetëm për rritjen e pagave janë siguruar 160 milionë euro dhe 170 milionë euro për rritjen e pensioneve. Për investime kapitale pritet të ketë 45.1 miliar denarë për investime në projektet tashmë t¡ filluara në infrastrukturën e arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit dhe fusha tjera.
Buxheti i Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.