Kuvendi e pret përgjigjen e Venedikut për jurisprudencën, kryeparlamentari thotë se do të kalojë me shumicë të thjeshtë

Ligji për jurisprudencën pritet të kalojë në procedurë parlamentare pas marrjes së mendimit nga Komisioni i Venedikut, ndërsa studentët shqiptarë kundërshtojnë këtë propozim dhe paralajmërojnë mundësinë e rikthimit të protestave, shkruan Portalb.mk.

Kryepralemntari Gashi, bëri të ditur se ligji për jurisprudencën aktualisht ndodhet në Komisionin e Venedikut dhe se përgjigjja nga ky institucion pritet të arrijë së shpejti. Pas kësaj, Qeveria pritet ta dorëzojë propozim-ligjin në Kuvend, ku do të nisë procedura për shqyrtimin dhe miratimin e tij.

“Sa i përket ligjit për jurisprudencën, ai është dërguar në Komisionin e Venedikut. Presim që të kemi përgjigje së shpejti dhe menjëherë pas saj presim që Qeveria ta dërgojë ligjin në procedurë parlamentare dhe pastaj ta hedhim në votim. Sipas asaj që jam njoftuar deri më tani, për ligjin e Jurisprudencës kërkohet shumicë e thjeshtë”, deklaroi Gashi.

Derisa shumica parlamentare, mendon të kalojë ligjin në procedurë parlamentare menjëher pasi të vijë mendimi i Komisionit të Venedikut, studentët shqiptarë janë shprehur kundër këtij propozimi dhe kanë paralajmëruar rikthimin e protestave.

Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, tha se protesta mbetet opsion, por para se të vendosin për organizimin e tyre, do të shqyrtojnë mundësinë e një përpjekjeje të fundit për bisedime me institucionet.

“Kemi thirrur një mbledhje të grupit organizativ për të vendosur për hapat e radhës. Protesta mbetet opsion. Para se të marrim atë vendim, do të diskutojmë mundësinë e një përpjekjeje të fundit për bashkëbisedim me institucionet”, është shprehur Ademi.

Qeveria ditë më parë miratoi kërkesën për të marrë mendim urgjent nga Komisioni i Venecias për modelin e propozuar të dhënies së provimit të jurisprudencës. Ministria e Drejtësisë thotë se kërkon vlerësim për përputhshmërinë e këtij modeli me Kushtetutën dhe standardet evropiane. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bekim Sali e paraqiti vendimin si hap drejt realizimit të së drejtës për dhënien e provimit në shqip. Megjithatë, ende nuk bëhet fjalë për miratimin e një ligji që garanton këtë të drejtë. Propozimi aktual parasheh që pjesa me gojë të mbahet në maqedonisht, ndërsa ajo me shkrim në gjuhën në të cilën kandidati ka studiuar.

Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.