RMV, filloi debati në Komision për propozim-buxhetin e vitit 2024, janë parashtruar 272 amendamente

Në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet sot filloi shqyrtimi i amendamenteve për Buxhetin për vitin 2024, pasi dje përfundoi debati i përgjithshëm, raporton MIA. Për Propozim-buxhetin janë parashtruar gjithsej 272 amendamente nga propozuesit e autorizuar, prej të cilëve 250 janë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit. Në ditën e sotme të parë ishin shqyrtuar tre amendamente dhe nga ana e përfaqësuesve të Qeverisë nuk ishin pranuar. 

Me amandamentin e parë u propozua zvogëlimi i të hyrave nga akciza në vlerë prej 100 milionë denarë, me qëllim të uljes së tatimit mbi vlerën e shtuar për drutë për ngrohje. Me të dytën u propozua zvogëlimi i shpenzimeve të akcizës në vlerë prej tre miliardë denarë, me qëllim uljen e TVSH-së për energjinë elektrike për amvisëri nga 18 në 5 për qind. Kurse me amendamentin e tretë u propozua zvogëlimi i të hyrave nga akciza në vlerë prej 1 miliard denarë, me qëllim uljen e TVSH-së për të gjitha produktet ushqimore në 5 për qind.

Pas përfundimit të debatit për amendamentet, Propozim-buxheti duhet të gjendet për miratim në seancë plenare. Në bazë të afateve të përcaktuara, Buxheti për vitin e ardhshëm duhet të miratohet në Kuvend më së voni deri më 31 dhjetor. 

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 14 nëntor ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave.

“Janë siguruar pensionet dhe rrogat më të mëdha, si dhe 733 milionë euro për investime kapitale”, sqaruan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 do të jetë 5.5 miliard euro shpenzime, apo 5.8 përqind më shumë se viti i kaluar. Qeveria llogariti që shkalla e inflacionit për vitin 2024 do të jetë 3.6 përqind. Me të ardhura rreth 310.1  miliard denare dhe shpenzime 343.6 miliard denarë, pritet të ketë deficit buxhetor 33.5 miliard denarë.

Ministri Fatmir Besimi sqaroi që vetëm për rritjen e pagave janë siguruar 160 milionë euro dhe 170 milionë euro për rritjen e pensioneve. Besimi, ka sqaruar që në buxhetin për vitin 2024 është planifikuar rritje të mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik. Për investime kapitale pritet të ketë 45.1 miliar denarë për investime në projektet tashmë t¡ filluara në infrastrukturën e arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit dhe fusha tjera.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.