Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi tekstin për propozimin shtesë për Buxhetin e vitit 2024

Në seancën e 210-të, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar plotësimin e tekstit për propozim-buxhetin e vitit 2024, që do të dërgohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për miratim, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme miratoi tekstin e Propozimit Plotësues për Buxhetin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024”, njoftoi Qeveria.

Ndryshimi i tekstit, është propozim i Ministrisë së Financave, pas amendamenteve të pranuara gjatë debatit në Komisionin e Kuvendit.

“Elementet kyçe në Propozimin Plotësuese për Buxhetin e vitit 2024 janë ridizajnimi i politikave buxhetore dhe konsolidimi fiskal”, njoftoi Qeveria, duke theksuar që këto ndryshime duhet të dërgohen përsëri në Kuvend për miratim.

Ndryshe, më 7 dhjetor në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet filloi shqyrtimi i amendamenteve për Buxhetin për vitin 2024. Për Propozim-buxhetin janë parashtruar gjithsej 272 amendamente, prej të cilëve 250 janë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 14 nëntor ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave.

“Janë siguruar pensionet dhe rrogat më të mëdha, si dhe 733 milionë euro për investime kapitale”, sqaruan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 do të jetë 5.5 miliard euro shpenzime, apo 5.8 përqind më shumë se viti i kaluar. Qeveria llogariti që shkalla e inflacionit për vitin 2024 do të jetë 3.6 përqind. Me të ardhura rreth 310.1  miliard denare dhe shpenzime 343.6 miliard denarë, pritet të ketë deficit buxhetor 33.5 miliard denarë.

Ministri Fatmir Besimi sqaroi që vetëm për rritjen e pagave janë siguruar 160 milionë euro dhe 170 milionë euro për rritjen e pensioneve. Besimi, ka sqaruar që në buxhetin për vitin 2024 është planifikuar rritje të mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik. Për investime kapitale pritet të ketë 45.1 miliard denarë për investime në projektet tashmë t¡ filluara në infrastrukturën e arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit dhe fusha tjera.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.