Për rritjen e pagave në Maqedoninë e Veriut është planifikuar 10 përqind rritje e buxhetit për vitin 2024, paralajmëroi ministri Besimi

Ministri për Financa në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Besimi, ka sqaruar që në buxhetin për viitn 2024 është planifikuar rritje të mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik, transmeton Portalb.mk.

Propozimi i Buxhetit për vitin 2024 siguron kushte për rritje të qëndrueshme ekonomike, vazhdim të konsolidimit fiskal dhe përforcim të qëndrueshmërisë fiskale, përkrahje të standardit të qytetarëve dhe kategorive të rrezikuara  të qytetarëve dhe ekonomisë, si dhe intensifikimin e konvergjencës së vendit drejt BE-së. Këtë e theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në ekspozenë e Propozimit të Buxhetit për vitin 2024 në Komisionin Parlamentar Amë për Financim dhe Buxhet, ku nga sot është në rend dite në Kuvend, raporton MIA.

Për shpenzimet e pagave janë projektuar 41.2 miliardë denarë, të cilat janë për 10% më të larta krahasuar me vitin 2023 dhe sigurojnë pagesën e pagave të rritura të të punësuarve në sektorin publik, në pajtim me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive. Shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve janë projektuar në vlerë prej 25.3 miliardë denarëve, në kuadër të të cilave janë paraparë 1 miliard denarë për realizimin e zgjedhjeve, transfertat rrjedhëse ndërsa subvencionet janë planifikuar në vlerë prej 215.3 miliardë denarëve, përkatësisht 83.6 miliardë denarë për pagesën e pensioneve, 13.2 miliardë denarë për kompensimet e mbrojtjes sociale, 1.5 miliardë denarë kompensim monetar në rast të papunësisë, 1.9 miliardë denarë për politikat dhe masat aktive të punësimit. Për mbrojtjen shëndetësore janë planifikuar 45.7 miliardë denarë, për transfertat në njësitë e vetëqeverisjes lokale 29.8 miliardë denarë, si dhe mjete për subvencionet bujqësore dhe subvencionet e sektorit privat.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e rrogës mesatare në shtator për 16.4 përqind, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, ashtu që rroga mesatare në këtë muaj arriti  37 876 denarë.

Nga ana tjetër kanë kaluar më shumë se një muaj që kur kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi më 18 tetor se materiali punues për zgjidhjen ligjore do të jetë gati për një ose dy javë, gjë që do të korrigjojë pagat e funksionarëce në “nivel më të pranueshëm”, të cilat tashmë janë rritur me 78 përqind për shtatë muaj me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Rritja e pagave me 78 përqind për mbi një mijë zyrtarë ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mars për shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili shkriu pagat e zyrtarëve të cilat janë fiksuar që nga viti 2014. Që atëherë, bazë është paga mesatare e vitit paraprak e përcaktuar nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Më 14 nëntor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave.