ANALIZË: Rroga, shërbime kontraktuale, punime ndërtimore: nga cilat zëra shkurtohen e në cilat zëra do të shtohen paratë me rebalancin e buxhetit
Më pak para për ujësjellës dhe kanalizime, për projekte ndërtimore, për organizatat joqeveritare. Në disa prej institucioneve dhe ministrive ka ulje të shumave për shërbimet kontraktuale dhe për shpenzimet e udhëtimit dhe mëditjet, por në disa të tjera ka rritje, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Ndryshime buxhetore në vlerë prej qindra milionë euro – pjesa e zhvillimit nën “thikë”
Edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila ka një buxhet të madh, deri në fund të vitit do të përballet me shkurtime mbi disa baza – zvogëlohet shuma për shpenzimet kapitale për objektet e kujdesit për fëmijët për 446.000 euro, e shkurtime të ndjeshme ka te transferime: tek FSPM-ja për 3.100.000 euro, tek Agjencia e Punësimit rreth 860.000 euro dhe tek FSH 2.200.000 euro. E përmes kësaj ministrie ka shkurtim prej 500 mijë eurosh të transferimeve për organizatat joqeveritare. Për 152.200 euro rritet shuma për rroga, kompensimet, kontribute për administratën. Nga ana tjetër, rriten transferime tek fondet për rrogat e rritura, por edhe për kompensimet: 8.700.000 më shumë për kompensimet sociale, 9.700.000 më shumë për FSPM-në për transferimin e kompetencave të NJVL-ve.
Në Ministrinë e Shëndetësisë ka ndryshime më të mëdha buxhetore. Shuma për rroga, kontribute, kompensime për pjesën administrative rritet për 41 mijë euro . Rriten edhe shumat për rroga dhe kompensime edhe për institucionet që janë nën kompetencat e kësaj ministrie. Transferimet në FSSH rriten për 1.621.000 euro. Për rikonstruksionin dhe zgjerimin e objekteve shëndetësore do të ketë 537.300 euro shtesë, kurse për blerjen e automjeteve 405.000 euro shtesë. Nga ana tjetër, për ndërtimin e qendrave klinike në Shtip dhe Shkup, përmes zërit “objekte të tjera ndërtimore”, ka ulje prej gati 1.200.000 euro. Për 324.000 euro zvogëlohet edhe shuma për Qendrën Klinike në Kërçovë.
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të marrë 65 mijë euro më shumë për rroga, kontribute dhe kompensime, e po ashtu do të ketë mjete shtesë edhe për shpenzime për udhëtime dhe për mëditje.
Për Ministrinë e Kulturës janë paraparë 50.000 euro shtesë për rroga bazë dhe për kompensime për pjesën administrative, ndërsa shuma për shpenzime për mëditje dhe për mëditje rritet për 40.500 euro. Më shumë para do të ketë për rrogat e punonjësve të Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, si dhe për sektorët dhe institucionet e tjera kulturore. Shuma milionëshe janë planifikuar për rroga dhe kontribute për punonjësit në teatro, manifestimet kulturore-artistike, veprimtarinë filmike, muzetë. Për shembull, vetëm për rrogat bazë dhe kontributet për të punësuarit në veprimtaritë folklorike dhe artistike-skenike, shuma rritet me 800.000 euro, ndërsa në veprimtaritë muzeale për 358.000 euro.
Në Qeveri shuma për rroga, kontribute dhe kompensime rritet për 161.000 euro, ndërsa për shpenzimet për udhëtime dhe për mëditje për 162.000 euro. Zëri për mbështetje financiare për investime – transferime të ndryshme rritet për 9.400.000 euro, te zëri tërheqja e investimeve të huaja ka një rritje prej 3.250.000 eurosh.
Rebalanci parasheh rishpërndarje të shumta në ministri dhe në vetë institucionet përmes programeve të ndryshme, e synimi është që të sigurohen para për rritjen e rrogave të punonjësve në sektorin publik dhe për pagesën e një shume të caktuar për K15. Këtu janë disa nga zërat zhvillimorë ku ka shkurtime më të mëdha: për ujësjellës dhe kanalizime, dotacionet kapitale për komunat zvogëlohen për 810.400 euro, subvencionet për ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare përmes njërit nga nën-programet në Ministrinë e Financave zvogëlohen për 9.5 milionë euro, ndërsa shuma për punët e tjera ndërtimore zvogëlohet për 4.3 milionë euro. Zëri “punime të tjera ndërtimore” është reduktuar ndjeshëm edhe në institucione dhe ministri të tjera, si ato për arsimin dhe bujqësinë.
Rebalanci i buxhetit tashmë është në Kuvend. Kjo rishpërndarje buxhetore i referohet periudhës deri në fund të këtij viti ekonomik. Zakonisht, llogaritjet për vitin e ri buxhetor 2024 fillojnë në tetor.