“Amour” dhe “Pylli” u prezantuan në natën e dytë të Festivalit “Moisiu”
Mbrëmë, në natën e dytë të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”, në Teatrin Shqiptar në Shkup u prezantuan dy trupa teatrore nga Fieri dhe Prizreni. Teatri “Bylis” i Fierit solli shfaqjen “Amour” në skenën e vogël, ndërsa në skenën e madhe, Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit dha dramën “Pylli”, shkruan Portalb.mk.
Mbrëmja nisi me shfaqjn “Amour”, një përshtatje skenike e filmit të Michael Haneke-s, me regji të Besmir Bitrakut. Në qendër të shfaqjes është një çift i moshuar, përditshmëria e të cilit ndryshon kur gruaja sëmuret rëndë dhe bashkëshorti merr përsipër të kujdeset për të. Përmes historisë së tyre, shfaqja flet për dashurinë në pleqëri dhe për vendimet e vështira që sjell sëmundja, ndërsa gruaja humb gradualisht pavarësinë.

Më pas, në skenën e madhe u dha “Pylli”, vepër e dramaturgut francez Florian Zeller, me regji të Erson Zymberit. Drama ndjek një mjek që përballet me pasojat e një lidhjeje jashtëmartesore. Ngjarja zbulohet pjesë-pjesë.
Në një prononcim për Portalb.mk, regjisori Besmir Bitrakut tha se “Amour” flet për largimin mes anëtarëve të familjes dhe për dashurinë që kërkon edhe sakrificë.
“Është kënaqësi e madhe që ta sillnim këtë shfaqje në Shkup. Ajo është realizuar me shumë dashuri nga të gjithë pjesëtarët e stafit krijues dhe mezi presim ta rikthejmë sërish në skenë, sepse është një shfaqje shumë emocionuese edhe për ne. Trajton një temë shumë të ndjeshme, që prek ata që po e përjetojnë sot, por edhe ata që mund ta përjetojnë në të ardhmen. Bëhet fjalë për distancën që po krijohet brenda familjes, për mënyrën se si anëtarët e saj, në njëfarë mënyre, po largohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri. Është një thirrje për dashurinë që duhet t’ia dhurojmë njëri-tjetrit pa kushte. Dashuria nuk është vetëm ajo që shohim në romancat e Shekspirit, por është edhe sakrificë. Kjo është tema që kemi dashur ta trajtojmë, ta zhvillojmë dhe t’ia përcjellim publikut shqiptar. Jemi shumë të lumtur që sa herë e rikthejmë në skenë, shfaqja vazhdon të ketë jetë të gjatë. Ka kohë që luhet dhe vazhdon të mirëpritet nga publiku. Ishte një shfaqje që kishim dëshirë të madhe ta realizonim dhe ja, më në fund arritëm ta vëmë në jetë”, tha Bitrakut.

Sonte, në natën e tretë të festivalit, organizata “Integra” nga Prishtina sjell shfaqjen “Sytë e ujkut”. Ajo jepet në orën 20.00, në skenën e vogël të Teatrit Shqiptar në Shkup. Me tekst të Doruntina Bashës dhe regji të Kushtrim Koliqit, drama trajton pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke vënë në qendër jetën e fëmijëve të lindur si pasojë e kësaj dhune.