Qytetarët e Tetovës ndjehen të rrezikuar nga qentë endacakë, kërkojnë zgjidhje të problemit (Video)

Qentë endacakë assesi të largohen nga Tetova. Aty ishin për dy mandate të kryetares paraprake të Komunës – Teuta Arifit, ndërkaq vazhdojnë të jenë aty edhe në krye me kryetarin aktual – Bilall Kasamin. Numri i qenve rrugëve të qytetit është i lartë, po ashtu edhe numri i  sulmeve. Portalb.mk anketoi qytetarët për këtë problematikë, ata thonë se qentë e rrugëve përbëjnë rrezik për to dhe kërojnë nga autoritetet të zgjidhin problemin.

Kështu u përgjigjën disa qytetarë për kamerën e Portalb.mk:

“Djali im frikohet të shkojë në punë, me taksi shkon, frikohet prej qenve në mëngjes.”

“Si s’janë të rrezikshëm çdo ditë kafshojnë, fëmijët frikohen të shkojnë në shkolla, duhet të merr dikush masa, komuna apo kush merr pjesë aty, duhet t’i largojnë të ua gjejnë një çare.”

“Fëmija hata të shkojnë në shkolla ose diku, kjo është e rrezikshme, nuk është vetëm një qen ose dy, këtu ka për tepër… Një ditë një vajzë, mos isha unë do e kishin ngrënë, pesë a gjashtë (qen) u mblodhën edhe  e mbrojta, për atë shkak duhet të marrin masa.”

“Të rrezikshëm janë, bir. Kur kalon menjëherë duan të të kafshojnë, duhet të kontrollohen.”

“Të rrezikshëm janë, nga vijnë nuk e di as unë, shumë qen kemi, nuk mund të dalim rehat.”

Për më tepër ndiqni videon:

Përndryshe, vetëm nga fillimi i këtij viti e deri në fillim të muajit maj, në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë janë regjistruar 40 raste të paraqitura për kafshime nga qentë endacakë. Shifrat janë të larta edhe për vitet paraprake. Për shembull, në vitin 2021 gjithsej ishin 66 raste të paraqitura ndërsa në vitin 2022 gjithsej 59 raste.

Komuna  e Tetovës kishte kontratë me shoqatën “Amos Pet” për trajtimin e qenve endacakë. Por, ky projekt ka mbaruar dhe deri më tani përmes tij janë trajtuar 82 qen dhe të njëjtët janë larguar nga qyteti. Megjithatë, numri i qenve sipas shoqatës “Amos Pet” e cila merrej me trajtimin e tyre deri pak ditë më parë është afër 500.

Për momentin në Tetovë askush nuk merret me trajtimin e qenve endacakë. Këtë e kanë konfirmuar edhe autoritetet komunale.

Për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna e Tetovës në buxhetin e vitit 2023 ka ndarë 3 milionë denarë.

Ndërkaq, siç mëson Portalb.mk, nga Komuna e Tetovës pritet që këto ditë të dalin me informacione të reja për këtë problematikë.