Nuk dihet kur do të ndërtohet strehimorja për qentë endacakë në Pollog

Refuzimi i ndërtimit të strehimores rajonale të Pollogut për trajtimin e qenve endacakë në Komunën e Bërvenicës, ka vënë Komunat e Pollogut përpara një sfide të re. Ndonëse para disa kohësh u njoftua që Komuna e Vrapçishtit do të jetë lokacioni i ri, ende nuk dihet kur do të ndërtohet strehimorja. Strehimorja rajonale parashihet të ndërtohet me fonde ndërkombëtare dhe me mbështetje të komunave të Pollogut, shkruan Portalb.mk.

Për atë se ku janë punët në këtë drejtim, Portalb.mk pyeti kryetarin aktual të përzgjedhur dje të këshillit për zhvillimin e rajonit planor të Pollogut- Arben Taravarin, dhe Bilall Kasamin i cili deri dje ishte kryetar i këtij këshilli për një vjet.

“Tashmë është zgjedhur lokacion i ri, bëhet fjalë për Komunën e Vrapçishtit, ecin procedurat formale që duhet të kalojë. Besoj që vitin e ardhshëm mund të mendojmë për projekt konkret i cili a do të realizohet në 2023 apo 2024 nuk e di, por kjo është zgjidhje e vetme për qentë endacakë në të gjithë komunat e Pollogut. Projekt konkret ka pasur por ka qenë për lokacionin e Bërvenicës, tani mund ta shfrytëzojmë të njëjtin projekt, vetëm të ndryshojë lokacioni, por duhet të kalojnë procedurat”, deklaroi Taravari.

“Ajo si procedurë do të zgjas më shumë për shkak se bëhet fjalë për planifikim urban, pra duhet të miratohet plani i ri urban në atë pjesë e cila zgjat… që pastaj të shkojmë me projekt themelor”, tha Kasami.

Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, për periudhën 1 janar- 15 dhjetor 2022, në rajonin që mbulon ky sektor janë regjistruar 93 raste të sulmimit dhe kafshimit nga qentë endacakë, edhe atë në Tetovë 57 dhe në Gostivar 36.

Kujtojmë që nisma për ndërtimin e strehimores rajonale është prej para dy viteve, por për shkak të ndryshimit të pushtetit lokal në vitit të kaluar në Komunën e Bërvenicës, kjo nismë ra poshtë me arsyetimin se banorët nuk duan që ajo të ndërtohet aty dhe dështoi.

Përndryshe, në Tetovë me trajtimin e qenve endacakë merret shoqata “Amos Pet” e cila është në fund të kontratës për këtë vit, ndërsa në Gostivar ka dy qendra për përkujdesjen e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button