Tetovë, përderisa qytetarët janë në rrezik, askush nuk merret me trajtimin e qenve endacakë

Përderisa qentë endacakë çdo ditë e më tepër rrezikojnë jetët e qytetarëve, për momentin në Tetovë askush nuk përkujdeset me trajtimin e qenve endacakë, numri i qenve sipas shoqatës “Amos Pet” e cila merrej me trajtimin e tyre deri pak ditë më parë është afër 500, kontrata e komunës me këtë shoqatë ka mbaruar. Ndërkaq nga Komuna e Tetovës thonë se punojnë për këtë problem me institucionet qendrore dhe së shpejti do dalin me informatë se si do të vazhdohet më tej. Rreziku nga sulmet dhe kafshimet kërcënon për çdo ditë qytetarët, shkruan Portalb.mk.

Qentë endacakë në Tetovë janë gjithandej ndërsa reagimet e qytetarëve si në jetën reale po ashtu edhe në rrejtët sociale për qentë endacakë dhe rrezikun nga sulmet dhe kafshimet prej tyre janë shtuar ditëve të fundit.

I lartë mbetet numri i rasteve të paraqitura në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë (SPB) për kafshimet nga qentë endacak.

Sipas të dhënave të SPB Tetovë, në vitin 2021 në Tetovë gjithsej ishin 66 raste të paraqitura, në vitin 2022 gjithsej 59 raste. Ndërkaq vetëm këtë vit nga 1 janari e deri më sot (3 maj) janë 40 raste të paraqitura për kafshime nga qentë endacakë. Megjithatë, shifrat janë më të larta për shkak se jo të gjithë qytetarët i paraqesin në SPB rastet kur sulmohen apo kafshohen nga qentë.

Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Veterineri Rami Selmani thekson se kjo temë duhet të merret shumë më seriozisht dhe jo vetëm të thuhet se punohet dhe ndryshe nuk punohet asgjë.

Rami Selmani, veteriner
Rami Selmani, veteriner

“Nëse nuk merren masa pa ndërprerë 12 muaj dhe të ketë buxhet të arsyeshëm për këtë punë, vetëm atëherë do të ketë sukses. Përndryshe, do të ketë shumë kafshime se rijnë grumbull qentë, kjo është rrezik shumë i madh…Unë deri tani nuk e di si janë trajtuar qentë, nuk kam të dhëna si është punuar dhe çfarë është bërë me qentë…Çfarë duhet të bëhet? Të punohet 12 muaj pa ndërprerje, të jetë një buxhet goxha i mirë për punë që të paktën të merren, të vaksinohen, të ju vendoset mikro çip, vaksinë tërbimi, të sterilizohen, të kastrohen”, tha Selmani duke theksuar se kësisoj rreziku do të jetë shumë më i vogël dhe se qentë nuk do sulmojnë për arsyet e lartpërmendura.

Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komuna  e Tetovës kishte kontratë me shoqatën “Amos Pet” për trajtimin e qenve endacakë. Por, ky projekt ka mbaruar dhe deri më tani përmes tij janë trajtuar 82 qen dhe të njëjtët janë larguar nga qyteti.

Për momentin në Tetovë askush nuk merret me trajtimin e qenve endacakë. Këtë e konfirmoi edhe kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi.

“Për momentin nuk ka ndonjë shoqatë apo ndonjë kontratë me kompani që merret me trajtimin e qenve endacakë”, tha Durmishi.

I pyetur nga Portalb.mk se çfarë po bëjnë për zgjidhjen e këtij problemi, Durmishi thotë se hapat të cilët u morën me shoqatën e cila u mor me këtë problem dhanë efekte, por jo të kënaqshme, sipas tij ishin disa efekte të mira por jo edhe komplet procesi i zgjidhjes së problemit me qentë endacakë.

Besar Dumrishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Besar Dumrishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Vazhdon të jetë problem që e tangon me vite qytetin por edhe qytetet tjera në nivel nacional. Kemi biseduar edhe me organet që janë në nivel qendror, shumë shpejtë do të ndërmarrin hapat ku do të njoftoheni edhe ju. Në fillim pati një iniciativë me një shoqatë nga shtetet tjera ku duheshe që të sigurojmë një hapësirë që të merret me trajtimin e këtyre qenve, por fatkeqësisht ata u larguan edhe pse nga ana jonë pati vullnet edhe të gjitha mundësitë ua ofruam. Do të vazhdojmë në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe do të sjellim konkluzat dhe do të dalim para mediumeve”, tha Durmishi.

Sa i përket strehimores rajonale për trajtimin e qenve endacakë në kuadër të komunave të rajonit të Pollogut, Durmishi tha se për këtë duhet ta pyesim kryetarin e komunës së Tetovës, pasi ai është marrë me mbarëvajtjen e kësaj procedure.

Por, sot gjatë seancës së këshillit komunal në Tetovë, edhe pse kërkuam deklaratë nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ai nuk pranoi të na jep deklaratë.

Problemin me qentë endacakë Komuna e Tetovës në fillim të vitit theksoi se do tentojnë ta zgjidhin gjatë këtij viti, megjithatë sipas tyre kjo përsëri është e pamjaftueshme të zgjidhet në nivel lokal, pasi siç thonë nevojitet zgjidhje në nivel nacional.

Për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna e Tetovës në buxhetin e vitit 2023 ka ndarë 3 milionë denarë.

Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndryshe, Komuna e Tetovës ka krijuar Rregullore për përcaktimin e mënyrës së pagesës dhe të kompensimit për dëmet e shkaktuara nga kafshimi i qenve endacak. Qytetarët të cilët sulmohen, lëndohen apo kafshohen nga qentë e rrugës do kenë mundësi kompensimi nga 30 mijë deri në 100 mijë denarë. Shumë kjo e cila do të varret nga ajo sa do e caktojë Komisioni i kompensimeve nga kafshimi i qenve endacakë. Rregulloren dhe kërkesën e gjeni duke klikuar KËTU.