Lëvizjes Besa “i ka ikur” qeni të cilin e lidhi te komuna para katër viteve (VIDEO)

Qentë vazhdojnë të enden nëpër qytetin e Tetovës. Aty ishin kur me qytetin udhëhoqi kryetarja, Teuta Arifi për dy mandate, por vazhdojnë të jenë edhe tani kur në krye të qytetit për një vjet e gjysmë është Bilall Kasami, partia e të cilit kur ishte në opozitë, nëpërmjet një aksioni simbolikisht lidhi një qen para komunës, duke kërkuar zgjidhje të problemit. Opozitarët që lidhën qenin erdhën në pushtet, megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen çdo ditë me rrezikun nga qentë, të cilët enden në turma dhe sulmojnë njerëzit, shkruan Portalb.mk.

Gjatë ditës së sotme, një qytetar ka publikuar një video në të cilën shihet se si një tufë qensh endacakë lëshohen pas një vajze, e cila duke bërtitur e tentuar të ikë, rrëzohet, por fatmirësisht arrin të shpëtojë pasi në ndihmë i dalin banorët përreth.

Pamjet e këtilla, janë të shpeshta dhe për këtë më së miri tregojnë rastet e paraqitura në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë (SPB) për kafshimet nga qentë endacak.

Sipas të dhënave të SPB Tetovë, në vitin 2021 në Tetovë gjithsej ishin 66 raste të paraqitura, në vitin 2022 gjithsej 59 raste. Ndërkaq vetëm këtë vit nga 1 janari e deri më 3 maj janë 40 raste të paraqitura për kafshime nga qentë endacakë. Megjithatë, shifrat janë më të larta për shkak se jo të gjithë qytetarët i paraqesin në SPB rastet kur sulmohen apo kafshohen nga qentë.

Komuna  e Tetovës kishte kontratë me shoqatën “Amos Pet” për trajtimin e qenve endacakë. Por, ky projekt ka mbaruar dhe deri më tani përmes tij janë trajtuar 82 qen dhe të njëjtët janë larguar nga qyteti. Megjithatë, numri i qenve sipas shoqatës “Amos Pet” e cila merrej me trajtimin e tyre deri pak ditë më parë është afër 500.

Rinia e  Lëvizjes Besa në vitin 2019, derisa ishte në opozitë në Komunën e Tetovës, kërkonin zgjidhje për këtë problem nga udhëheqësia e atëhershme, madje duke lidhur një qen para komunës dhe duke mbajtur konferencë për shtyp.

“Në mungesë të hapësirave adekuate, këta qen gjatë gjithë kohës bredhin rrugëve, kryesisht nëpër rrethrrotullimet e qytetit….Nga ky problem më shumë rrezikohen nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të cilët herët në mëngjes drejtohen për në shkollë… Kërkojmë nga komuna e Tetovës të hartoj plan afatgjatë për zgjidhjen e këtij problem”, patën deklaruar nga Lëvizja Besa.

Por, sot që kjo komunë udhëhiqet për një vit e gjysmë nga kuadro të kësaj partie, problemi mbetet i pazgjidhur.

Për momentin në Tetovë askush nuk merret me trajtimin e qenve endacakë. Këtë e konfirmoi javën e kaluar edhe kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi.

Qentë endacakë në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qentë endacakë në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

I pyetur nga Portalb.mk se çfarë po bëjnë për zgjidhjen e këtij problemi, kryetari i Këshillit të Tetovës, Besar Durmishi thotë se hapat të cilët u morën me shoqatën e cila u mor me këtë problem dhanë efekte, por jo të kënaqshme, sipas tij ishin disa efekte të mira por jo edhe komplet procesi i zgjidhjes së problemit me qentë endacakë.

Besar Dumrishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Besar Dumrishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Vazhdon të jetë problem që e tangon me vite qytetin por edhe qytetet tjera në nivel nacional. Kemi biseduar edhe me organet që janë në nivel qendror, shumë shpejtë do të ndërmarrin hapat ku do të njoftoheni edhe ju. Në fillim pati një iniciativë me një shoqatë nga shtetet tjera ku duheshe që të sigurojmë një hapësirë që të merret me trajtimin e këtyre qenve, por fatkeqësisht ata u larguan edhe pse nga ana jonë pati vullnet edhe të gjitha mundësitë ua ofruam. Do të vazhdojmë në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe do të sjellim konkluzat dhe do të dalim para mediumeve”, tha Durmishi.

Problemin me qentë endacakë Komuna e Tetovës në fillim të vitit theksoi se do tentojnë ta zgjidhin gjatë këtij viti, megjithatë sipas tyre kjo përsëri është e pamjaftueshme të zgjidhet në nivel lokal, pasi siç thonë nevojitet zgjidhje në nivel nacional.

Për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna e Tetovës në buxhetin e vitit 2023 ka ndarë 3 milionë denarë.

Ndryshe, Komuna e Tetovës ka krijuar Rregullore për përcaktimin e mënyrës së pagesës dhe të kompensimit për dëmet e shkaktuara nga kafshimi i qenve endacak. Qytetarët të cilët sulmohen, lëndohen apo kafshohen nga qentë e rrugës do kenë mundësi kompensimi nga 30 mijë deri në 100 mijë denarë. Shumë kjo e cila do të varret nga ajo sa do e caktojë Komisioni i kompensimeve nga kafshimi i qenve endacakë. Rregulloren dhe kërkesën e gjeni duke klikuar KËTU.