Lopët në rrugët e Kriva Pallankës u bënë lajm botëror, kryetari i komunës kërkoi ndërhyrjen e Qeverisë

Kryetari i Komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, kërkoi mekanizëm ligjor për largimin e bagëtive nga rrugët dhe pronat e qytetarëve. Ai iu drejtua Qeverisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke kërkuar që komuna të mund ta koordinojë këtë aksion, transmeton Portalb.mk.

Mitovski tha se aksioni duhet të zhvillohet në bashkëpunim me institucionet kompetente dhe nën mbikëqyrje veterinare.

Sipas tij, qytetarët prej kohësh pësojnë dëme materiale. Ndërkohë, vendimet për marrjen e kafshëve nga pronarët nuk janë zbatuar plotësisht, edhe pse janë miratuar para më shumë se dy vjetësh.

Sipas tij, kalimi i përgjegjësisë nga një institucion te tjetri nuk ka sjellë rezultate.

Problemi me lopët në Kriva Pallankë mori vëmendje ndërkombëtare pasi agjencia amerikane e lajmeve AP publikoi një videoreportazh. Atë më pas e transmetuan edhe media të tjera.

Ndryshe, AUV-ja që në vitin 2024 kishte urdhëruar marrjen e tufës nga tre pronarët. Megjithatë, urdhri ende nuk është zbatuar.