Kriva Pallanka kërkon ndihmën e ambasadave për lopët që enden nëpër qytet
Komuna e Kriva Pallankës u është drejtuar ambasadave në vend për ndihmë, pasi mbi 1.000 krerë gjedhësh lëvizin pa mbikëqyrje në territorin e saj. Sipas komunës, ato rrezikojnë qytetarët dhe shkaktojnë dëme, ndërsa institucionet vendase deri tani nuk e kanë zgjidhur këtë çështje, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i komunës, Sashko Mitovski, sot u dërgoi letër të gjitha ambasadave dhe ambasadorëve të akredituar në vend. Ai kërkon mbështetje diplomatike që çështja të trajtohet nga Qeveria dhe institucionet kompetente.
Mitovski ka kërkuar edhe shpalljen e gjendjes së krizës, por deri tani nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria.
“Komuna u bën thirrje ambasadorëve që, në bisedat e tyre me përfaqësuesit e Qeverisë dhe të institucioneve kompetente, ta ngrenë këtë çështje, të vënë në dukje rreziqet për qytetarët dhe të theksojnë nevojën për veprim urgjent dhe të koordinuar”, thonë nga Komuna e Kriva Pallankës.
Bagëtitë enden nëpër rrugë, rrezikojnë këmbësorët dhe shoferët dhe dëmtojnë të mbjellat. Ditëve të fundit, lopë kishte edhe në oborrin e shkollës së mesme komunale.
Nga komuna thonë se, prej janarit të vitit 2022, kanë dorëzuar qindra denoncime dhe nisma te Qeveria, Ministria e Bujqësisë, inspektorati kompetent dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Është parashtruar edhe kallëzim penal për keqtrajtim të kafshëve. Institucioneve u janë dorëzuar dëshmi për dëme materiale, lëndime të qytetarëve dhe shkatërrim të hapsirave publike.
Problemi me lopët në Kriva Pallankë mori vëmendje ndërkombëtare pasi agjencia amerikane e lajmeve AP publikoi një videoreportazh. Atë më pas e transmetuan edhe media të tjera.
Ndryshe, AUV-ja që në vitin 2024 kishte urdhëruar marrjen e tufës nga tre pronarët. Megjithatë, urdhri ende nuk është zbatuar.