Kasami: Do e zgjidhja problemin e qenve endacakë nëse do varej prej meje, por nevojitet strategji nacionale

Problemin me qentë endacakë Komuna e Tetovës thekson se do tentojnë ta zgjidhin gjatë këtij viti, megjithatë sipas tyre kjo përsëri është e pamjaftueshme të zgjidhet në nivel lokal, pasi siç thonë nevojitet zgjidhje në nivel nacional, shkruan Portalb.mk.

Viti i kaluar u përmbyll me 59 raste të raportimeve në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë për sulme apo kafshime nga qentë endacakë në Tetovë dhe rrethinë. Ndërsa vetëm gjatë ditëve të para të këtij viti, numri i denoncimeve ka qenë 4. Por, këto shifra duket të jenë më të larta pasi jo gjithkush i raporton këto sulme.

Për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna e Tetovës në buxhetin e vitit 2023 ka ndarë 3 milionë denarë.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi thotë se janë në bisedime me një partner të huaj që ata të merren me trajtimin e qenve, ku nëse punët shkojnë siç duhet, ata presin që ky problem të zgjidhet brenda vitit 2023.

“Mjafton që Komuna e Tetovës të gjejë një vend dhe një hapësirë ku do të mund të i trajtojë ata qen dhe pasi të përfundojmë atë proces do jeni të njoftuar, do thërrasim një press konferencë. Me këtë kompani private në qoftë se arrijmë gjithçka të përfundojmë siç duhet, unë besoj fuqishëm që problemi i atyre qenve do të zgjidhet”, tha Durmishi.

Referuar këtij bashkëpunimi potencial, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se bëhet fjalë për një qytetar turk të interesuar, por se ende nuk ka propozim dhe projekt konkret.

Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës ende nuk e ka përmbyllur marrëveshjen me “Amos Pet”, shoqatën e përzgjedhur për këtë problematikë, e cila parashihte që në 12 muaj të trajtohen vetëm 82 qen, që është rreth 20% nga numri total i qenve që enden nëpër qytet. Ndërsa qyteti ka rreth 500 qen endacak ku rreth gjysma e tyre janë të mëdhenj mbi 40 kilogram.

Kontaktuam “Amos Pet”, për atë se sa qen janë trajtuar deri tani dhe si është gjendja reale në këtë drejtim, ata thonë se kontrata me komunën zgjatë deri më 13.07.2023.

“Në datën 21.10.2022 kemi përfunduar me gjysmën e parë të projektit ku kemi kapur 41 qenë të pastrehë respektivisht, është dërguar raporti në Komunën e Tetovës. Numri total i qenve të kapur në këtë projekt është 41. Informatat më të detajuara rreth qenve të kapur janë të evidentuara në raportin e dërguar. Tani presim komuna e Tetovës të ketë mundësi ta bëj pagesën për punën e kryer deri tani dhe ta publikojë raportin që të mund edhe ne ta shpërndajmë dhe të vazhdojmë me projektin”, thanë nga “Amos Pet“.

Megjithatë, në këtë drejtim ka problem në realizimin e plotë të kontratës.

“Për shkak Komuna nuk ka mundësi të menaxhojë me financat, dhe për shkak se nuk mund të realizojë një pjesë të kontratës me shoqatën në fjalë, nuk mund ta vazhdojnë projektin. Tentojnë të gjejnë mënyrë të shlyqejmë obligimet ndaj shoqatës”, tha Kasami.

Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qen endacak në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Zgjidhja e këtij problemi sipas kreut të Tetovës është në nivel nacional dhe jo lokal, pasi siç thotë Kasami nëse zgjidhja do varret vetëm prej komunës, do e kishte zgjidhur këtë problem.

“Komuna e Tetovës do vazhdojë të punojë në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi. Por, nuk është problem lokal, është problem nacional, duhet zgjidhje dhe strategji nacionale. Po të më garantojë dikush se sa qen endacakë unë duhet t’i trajtoj, t’i sistemoj dhe me atë të zgjidh problemin, unë që nesër gjej zgjidhje për ata. Për shkak se bëhet fjalë për kafshë të gjalla dhe të cilat lëvizin vetë apo me asistim të personave të papërgjegjshëm, unë do të vazhdoj ta trajtoj në nivel lokal dhe me ato kapacitete të cilat i kemi, por nuk mund të garantoj se pa një koordinim nacional kjo çështje mund të zgjidhet”, tha Kasami.

Në drejtim të zgjidhës së këtij problemi në nivel nacional, në fund të dhjetorit 2022, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stojançe Angellov ndau planin e këtij institucioni për qentë endacakë. Ku në si prioritet përmendi kapjen e qenve agresivë, strehimi ose eutanizimi i tyre, pastrimi, vaksinimi, sterilizimi i qenve të tjerë të pastrehë, forcimi i kontrolleve për të zbuluar të vërtetën në sulmet nga qentë e pastrehë, sterilizimet e dyshimta.

Qen, kafshe, endacak
Foto ilustrim: Suad Bajrami/Portalb.mk

Kujtojmë që, ky problem nuk është vetëm i Tetovës, ai tangon edhe qytetet tjera si Shkupi, Struga, Kërçova, Gostivari, dhe të tjera.

Shpresë në këtë drejtim, është ndërtimi i strehimores rajonale për Komunat e Pollogut, megjithatë, refuzimi i ndërtimit të strehimores rajonale për trajtimin e qenve endacakë në një lokacion në Komunën e Bërvenicës, ka vënë komunat e Pollogut përpara një sfide të re.

Ndonëse para disa kohësh u njoftua që Komuna e Vrapçishtit do të jetë lokacioni i ri, ende nuk dihet kur do të ndërtohet strehimorja. Strehimorja rajonale parashihet të ndërtohet me fonde ndërkombëtare dhe me mbështetje të komunave të Pollogut. Kjo nismë për ndërtimin e strehimores rajonale është prej para dy viteve, por për shkak të ndryshimit të pushtetit lokal në zgjedhjet e fundit të kaluara në Komunën e Bërvenicës, kjo nismë ra poshtë me arsyetimin se banorët nuk duan që ajo të ndërtohet aty dhe dështoi.

Përndryshe, në seancën e katërt të Këshillit të Komunës së Tetovës u votua rregullorja për përcaktimin e mënyrës së pagesës dhe të kompensimit të dëmit të shkaktuar nga kafshimi i qenve endacakë. Ndërkaq, komuna në dhjetor shpalli thirrjen publike për zgjedhjen e anëtarëve të jashtëm të Komisionit për veprim sipas kërkesave për kompensim të dëmit të shkaktuar nga kafshimi i qenve endacak ndaj qytetarëve në territorin e kësaj komune.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button