Provimi i jurisprudencës, Filipçe: Në vendet e zhvilluara, pyetja është se sa dini, jo në cilën gjuhë e jepni atë

Lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dje është deklaruar edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. Ai tha se më me rëndësi është të përqëndrohemi në profesionalizëm kur bëhet fjalë për provimin e jurisprudencës. Me këtë rast ai përmendi Zvicrën ku siç tha ai provimi është në gjermanisht, frëngjisht dhe italisht dhe askush nuk ju pyet se në cilën gjuhë do ta jepni atë, transmeton Portalb.mk.

Sipas liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, më e rëndësishme është njohuria e studentëve, jo gjuha me të cilën do ta japin provimin e jurisprudencës, duke shtuar se nuk nevojiten ndarje të reja në shoqëri.

“Nuk shoh ndonjë problem me dhënien e provimit në asnjë gjuhë, por njohuria duhet të jetë e para. Në vendet e zhvilluara, pyetja është se sa dini, jo në cilën gjuhë e jepni provimin. Në Zvicër, provimi është në gjermanisht, frëngjisht dhe italisht dhe askush nuk ju pyet se në cilën gjuhë do ta jepni provimin, ju vetëm thoni në cilën dëshironi. Kjo është ajo që duhet të arrijmë, kjo shoqëri duhet të ecë përpara, jo në përçarje”, tha në Kuvend kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Çështja e provimit të jursprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe ditëve të fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Pas kësaj ka pasur reagime dhe përplasje të shumta politike.

BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët kanë kritikuar qeverinë, BDI madje dorëzoi edhe propozim-ligj, ndërkaq VLEN në pushtet premtoi se do ta zgjidhin këtë çështje.

Ministria e Drejtësisë mbeti e qëndrimit se provimi nuk mund të mbahet në shqip.

Kryeministri tha se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip ndërsa më pas më pas tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut.

Pati përplasje edhe midis zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe ministrit të Drejtësisë Igor fillkov.

Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast.

Ndërkohë, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.