Ministri i Drejtësisë kundër kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit: S’ka provim të jurisprudencës në shqip

Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Igor Fillkov insiston se nuk mund të ketë provim të jurisprudencës në gjuhën shqipe ashtu siç kërkojnë studentët, kryeministri dhe kryeministri, shkruan Portalb.mk.

Fillkov duke iu kundërpërgjigjur zëvendëskryeministrit Bekim Sali thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve mundëson përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në procedurat para institucioneve, por zbatimi i tij nuk mund të shqyrtohet i izoluar nga ligjet e tjera sistemore që rregullojnë funksionimin e gjyqësorit.

“Provimi i jurisprudencës paraqet kusht themelor për hyrje në gjyqësor, prokurori publike, avokaturë, notarë dhe përmbarim, ndërsa të gjitha këto ligje parashohin shprehimisht kushtin e njohjes aktive të gjuhës maqedonase. Dispozita kushtetuese përcakton qartë se përdorimi i një gjuhe tjetër zyrtare lejohet në kushte dhe në mënyrë të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj, pa u cenuar pozita kushtetuese e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare primare”, tha Fillkov.

Zëvendëskryeministri Bekim Sali mbrëmë në TV21 tha se të drejtat e garantuara me Kushtetutë nuk kanë nevojë të përsëriten në çdo ligj apo rregullore, pasi ato duhet të zbatohen automatikisht nga institucionet.

“Ne themi se duhet të respektohet Kushtetuta dhe nuk duhet të futemi në çdo ligj, apo në rregullore të institucioneve të ndryshme, ta shkruajmë gjithandej se duhet kjo kjo, për arsye se nëse në Kushtetutë është e shkruar diçka, gjithçka inkorporohet në praktikën e mëtutjeshme të institucioneve dhe do t’i qëndrojmë kësaj mbrapa, përkrahjen do ta kenë studentët maksimalisht”, tha Sali.

Ai theksoi se kërkesa e studentëve ka bazë kushtetuese dhe se refuzimi nga Ministria e Drejtësisë nuk lidhet me mungesë argumentesh ligjore, por me mungesë vullneti.

Kundër deklaratës së ministrit të Drejtësisë kanë dalë nga BDI, Arbër Ademi thotë se problem është mentaliteti i Fillkovit, e jo Kushtetuta, e jo ligji, pasi asnjë argument nuk është në anën e tij.

“Tendencat apo qëndrimet që insistojnë që këtë çështje ta trajtojnë me ligjin për provimin e jurisprudencës apo me interpretime të tjera të çuditshme amatoreske janë të gabuara në rrethana kur ligji për përdorimin e gjuhëve është “lex specialis” në pjesën e përdorimit të gjuhëve dhe ka epërsinë e zbatueshmërisë në raport me të gjitha aktet tjera normative. Trajtimi në mënyrë parciale nëpër akte të ndryshme normative i përdorimit të gjuhëve nuk ka qenë i suksesshëm, andaj edhe fokusi ka qenë miratimi i një akti të vetëm. Çdo veprim tjetër mund të konsiderohet si përpjekje për të “çmontuar” ligjin për përdorimin e gjuhëve”, tha Ademi.

Ka reaguar edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili thotë se “është interesante se si provimet shtetërore në degët e Mjekësisë dhe Stomatologjisë lejohen të jepen në gjuhën shqipe, dhe pikërisht ai i Jurisprudensës që flet për Drejtësi nuk i jep pikërisht të Drejtën e merituar studentëve shqiptarë të shprehen me gjuhën e tyre amtare”.

Çështja e provimit të jursprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe ditëve të fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Pas kësaj ka pasur reagime të shumta.

BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët kanë kritikuar qeverinë, ndërkaq VLEN në pushtet premtoi se do ta zgjidhin këtë çështje. Ministria e Drejtësisë mbeti e qëndrimit se provimi nuk mund të mbahet në shqip ndërkaq kryeministri tha se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip. Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast.

Ndërkohë, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.