Përplasje për rrugën drejt BE-së para vizitës së von der Leyenit: Filipçe e quan Mickoskin “idiot”, reagoi VMRO-DPMNE

Një deklaratë e liderit të LSDM-së, Venkо Filipçe, ka shkaktuar përplasje të re mes opozitës dhe VMRO-DPMNE-së, në prag të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Maqedoninë e Veriut. Duke folur për rrugën evropiane të vendit dhe politikat e kryeministrit Hristijan Mickoski, Filipçe pyeti nëse ai mund të jetë “kaq idiot, komplet”, saqë ta izolojë plotësisht vendin. Ai e akuzoi Mickoskin se po e largon Maqedoninë e Veriut nga rruga drejt BE-së dhe se po e çon vendin në qorrsokak, transmeton Portalb.mk.

“Nuk e di nëse jeni të vetëdijshëm se sa serioze është situata tani, sot, nesër në pritje të vizitës së (Presidentes së Komisionit Evropian) Ursula von der Leyen. Nuk e di nëse jeni të vetëdijshëm për peshën politike të këtij momenti në të cilin, pas rreth 30 vitesh, jemi në një rrugë pa krye për Evropën me kërkesë personale të Hristijan Mickoskit”, tha kreu i LSDM-së.

Filipçe i bëri këto komente duke iu referuar edhe raportimeve se BE-ja po përgatit udhërrëfyes me afate konkrete për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk është përfshirë në këtë plan. Ai tha se Mickoski po përdor argumente për mbrojtjen e emrit, gjuhës, kulturës dhe identitetit, ndërsa sipas tij këto çështje tashmë janë të përcaktuara në marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndaj deklaratës reagoi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, i cili e akuzoi Filipçen për “gjuhë të urrejtjes” dhe për fyerje ndaj kryeministrit. Micevski tha se një gjuhë e tillë nuk i takon një politikani dhe e cilësoi deklaratën si “të turpshme” për skenën politike.

“Filipçe po humbet kontrollin, po e fyen kryeministrin, po e quan idiot. Ky është një turp për skenën politike maqedonase, për SDS-në dhe për Filipçen si kryetar të saj. Fyerje të tilla të turpshme ndaj kryeministrit nuk i shkojnë për shtat një opozite që pretendon se një ditë do të jetë në pushtet”, tha Micevski.

Micevski ngriti edhe pyetjen nëse Filipçe ka marrë më herët ndonjë detyrim politik lidhur me çështjen me Bullgarinë dhe nëse kjo mund të jetë arsyeja për reagimet e tij. Ai tha se thelbi i debatit nuk është shembulli i Islandës dhe tregut të përbashkët evropian, por qëndrimi i Filipçes ndaj çështjes bullgare.

Ndërkohë, Filipçe i ka bërë thirrje Mickoskit që para takimit me von der Leyen të mendojë se çfarë mesazhi do t’i përcjellë për të ardhmen evropiane të vendit, duke paralajmëruar se vendimet e sotme do të kenë pasoja edhe për gjeneratat e ardhshme.

Bashkimi Evropian po zhvillon plane veprimi, sipas të cilave katër vendet që janë më pranë anëtarësimit në bllok do të marrin një rrugë të qartë dhe të detajuar drejt anëtarësimit. Në këtë plan nuk bën pjesë Maqedonia e Veriut.

Janë duke u shqyrtuar udhërrëfyes të posaçëm për Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë, deklaruan për “Politico” dy zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian që po punojnë për draft-propozimet.