LSDM-ja me përplasje të brendshme, VMRO: Filipçe në gjendje të dëshpëruar
Plani për reforma në LSDM, i cili pritet të dorëzohet nga përfaqësuesit e platformës “Biseda për Maqedoninë 12:05”, është shkruar në Pallatin e Bardhë të Hristijan Mickoskit. E dimë se çfarë shkruan në të, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, duke i quajtur mbështetësit e iniciativës “puçistë” dhe “kalkulues”. Në konferencën e sotme për shtyp, ai akuzoi se bëhet fjalë për njerëz që luftojnë vetëm për interesa personale, në vend të qytetarëve dhe shtetit. Nga ana tjetër, nga VMRO-DPMNE thonë se Filipçe është në gjendje të dëshpëruar dhe se LSDM-ja është kundër vetëm për të qenë ndryshe, transmeton Portalb.mk.
“Pamë në një vend një grup të vogël puçistësh, ish-funksionarë të LSDM-së, por edhe anëtarë të partive të tjera. Të LDP-së, njerëz të punësuar në ZNAM, por edhe të Levicës – parti me vlera krejtësisht të kundërta me tonat. Parti që hapur mbron interesat ruse dhe kineze tek ne dhe financohet nga Rusia dhe Kina, këtu, në një vend të NATO-s… të gjithë të ulur në një vend, të gjithë satelitë të Hristijan Mickoskit të ulur në një vend, skizofreni totale”, tha Filipçe.
Sipas tij, qëllimi i takimeve të tyre është ta defokusojnë opinionin publik nga problemet aktuale, gjë që, sipas tij, dëshmon bashkëpunimin me pushtetin.
Dje, ish-nënkryetari i LSDM-së dhe një nga organizatorët e platformës “Biseda për të ardhmen në 12:05”, Igor Ivanovski, tha se kryetari i LSDM-së dhe grupi rreth tij janë bërë fraksion brenda partisë. Në një deklaratë për mediat, ai tha se Filipçes do t’ia dorëzojnë një Plan për konsolidim dhe ndryshime strukturore, për të cilin pretendon se është diskutuar shumë herë brenda partisë, dhe i bëri thirrje liderit të partisë ta pranojë, siç tha, për të mirën e partisë.
Planin për reforma, siç thanë, do t’ia dorëzojnë udhëheqjes së LSDM-së javën e ardhshme.
Sipas VMRO–DPMNE-së, Venko Filipçe ka filluar të kritikojë gjithçka që po bëhet, nga investimet deri te thellimi i partneriteteve ekzistuese, si ai me SHBA-në dhe anëtarësimi në NATO.
“Filipçe përsëri tha se Maqedonia është jashtëzakonisht e ngarkuar me borxhe. Për këtë do t’i japim vetëm disa fakte, nëse nuk i ka dëgjuar në fillim të këtij muaji. Ja një krahasim i tetë tremujorëve të parë të plotë të qeverive të udhëhequra nga BDI-ja dhe LSDM-ja dhe tani të Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Në tetë tremujorët e parë të plotë pas ardhjes së LSDM-së dhe BDI-së në pushtet, rritja mesatare reale e BPV-së ishte rreth 2.6 për qind. Në tetë tremujorët e parë të plotë të qeverisë aktuale të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, rritja mesatare është rreth 3.55 për qind. Edhe të dhënat e fundit zyrtare e konfirmojnë më tej dinamikën pozitive: në tremujorin e dytë të vitit 2026, rritja reale e BPV-së arriti në 4.3 për qind. Çfarë tregojnë shifrat? Tendencë për rritje më të lartë dhe më të qëndrueshme, si dhe vazhdimësi të trendit pozitiv ekonomik”, reaguan nga VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-DPMNE-së, një opozitë serioze nuk mund të ketë qëndrim të tipit “jemi kundër, vetëm për të qenë ndryshe”.