Gjendja e Agim Islamit është rënduar në burg, familja kërkon zgjidhje për rastin “Alfa”

Gjendja shëndetësore e Agim Islamit, i dënuar me burgim të përjetshëm në rastin “Alfa”, ka filluar të rëndohet. Kështu thotë shoku i tij, Ramiz Dauti, i cili ishte arrestuar bashkë me të në rastin që lidhet me vrasjen e një polici të njësisë “Alfa” në vitin 2008 në Shkup. Pavarësisht premtimeve nga përfaqësues politikë dhe dëshmive të reja të paraqitura nga mbrojtja, familja ende pret një zgjidhje ligjore për rastin, shkruan Portalb.mk.

“Ka edhe probleme shëndetësore, sepse i ka bërë 18 vite në burg dhe kushtet atje janë shumë të rënda. Agimi është shumë durimtar, por gjendja e tij shëndetësore, si psikike ashtu edhe fizike, ka filluar të ndikojë shumë negativisht”, thotë për Portalb.mk Ramiz Dauti, shok i Agim Islamit.

Ai kujton se kur u arrestuan në vitin 2008 ishin të rinj, ndërsa sot, pas 18 vitesh, jeta e tyre ka marrë kahje krejt të ndryshme.

“Ne kemi qenë shumë të rinj kur na kanë burgosur në vitin 2008. Sot unë kam familje, kam punë, i kam të gjitha, ndërsa Agimit i mohohet e drejta e ekzistencës”, tha Dauti.

Ndër vite, familja ka ndërmarrë hapa për ta kundërshtuar vendimin, ndër ta edhe sigurimin e një ekspertize të një video inçizimi të ngjarjes. Sipas Dautit, ekspertiza nuk u pranua nga gjykata, pasi në Maqedoninë e Veriut nuk kishte ekspert të asaj fushe që do ta verifikonte atë.

“Bëmë ekspertizë shumë të mirë ku ekzaktësisht i lehtësohet gjykatës që të marrë vendim ndryshe nga ky që është. Ku i dëshmohet qartë me ekspertizë rasti si ka qenë, për shkak se ekziston edhe një video gjatë vrasjes. Edhe ekspertizën nuk na e pranuan për shkaqe banale, për shkak se Maqedonia nuk ka ekspert të asaj fushe për ta verifikuar atë ekspertizë”, theksoi Dauti.

Premtime për rishikimin e rastit, sipas tij, familja ka marrë edhe më herët, por deri tani ato nuk kanë sjellë ndonjë zgjidhje konkrete. Edhe tani janë zhvilluar takime me përfaqësues politikë, nga të cilët familja përsëri ka marrë premtime për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore.

“Kemi pasur takim me ish zv.kryeministrin Izet Mexhitin, kemi pasur edhe me Bekim Salin dhe ende jemi në pritje për diçka konkrete. Na kanë thënë që kanë mirëkuptim me palën maqedone të koalicionit, VMRO-në, që të gjendet ndonjë zgjidhje ligjore për ta rishikuar rastin edhe njëherë. Ajo pjesë prapë ngelet nga politika, a do të formohet komision, apo metodologjia si do të jetë, presim nga ata”, deklaroi ai.

Ndërsa Agim Islami vazhdon të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm, i dënuari tjetër në rastin “Alfa”, Rexhail Qerimi, ndërroi jetë në burgun e Idrizovës në vitin 2022. Vëllai i tij, Jetullah Qerimi, për Portalb.mk thotë se Rexhaili për vite me radhë kishte shpresuar se do të vinte drejtësia dhe se një ditë do të lirohej.

“Rexhaili gjithnjë ishte me shpresë se sado pak drejtësi të ketë, do të lirohen, por ja që shteti i padrejtë nuk pranoi faktet tona”, thotë Jetullah Qerimi, vëllai i Rexhail Qerimit.

Pas vdekjes së Rexhailit në burg, Jetullahu shpreson që Agimi ta përjetojë lirinë dhe të mos ketë të njëjtin fat si vëllai i tij.

“Meqë vëllai im nuk arriti ta fitojë lirinë si e meritoi, shpresoj që të gjithë të burgosurit, sidomos ata të pafajshëm, të dalin sa më parë dhe të jenë të lirë, sidomos Agimi dhe shumë të burgosur me raste të montuara”, tha Qerimi.

Rexhail Qerimi dhe Agim Islami, të dënuar për rastin “Alfa”, gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Idrizovës. Foto nga facebooku i Agim Islami.
Rexhail Qerimi dhe Agim Islami, të dënuar për rastin “Alfa”, gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Idrizovës. Foto nga facebooku i Agim Islami.

Kujtojmë se, rasti “Alfa” lidhet me vrasjen e pjesëtarit të njësitit policor “Alfa”, Afrim Arifi, më 26 nëntor 2008, në afërsi të Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. Agim Islami dhe Rexhail Qerimi u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri me gjashtë vjet burg. Më vonë, edhe Almir Dërplani u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë, ndërsa pas ekstradimit të tij nga Kosova u zhvillua procedurë e veçantë.

Mbrojtja ndër vite ka kundërshtuar vendimet dhe ka kërkuar përsëritjen e gjykimit, ndërsa ka paraqitur edhe një ekspertizë të video inçizimit të ngjarjes, të përgatitur në Serbi. Sipas mbrojtjes, kjo ekspertizë mbështet kërkesën për përsëritjen e gjykimit. Gjykata Penale e Shkupit në dhjetor të vitit 2024 e refuzoi kërkesën e Islamit për përsëritjen e gjykimit, ndërsa në prill të vitit 2025 Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën ndaj këtij vendimi.

Rexhail Qerimi ndërroi jetë në burgun e Idrizovës më 27 janar 2022, ndërsa Agim Islami vazhdon të vuajë dënimin.