Prokuroria nuk e ka marrë ende raportin e autopsisë për vdekjen e Vanjës

Raporti i autopsisë, i cili duhet të përcaktojë shkaqet e vdekjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, ende nuk është dorëzuar zyrtarisht në Prokurorinë Publike, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria e Shkupit në raportin e shkurtër njoftoi se është duke u zhvilluar faza e mbledhjes së të gjitha provave lidhur me hetimin e vrasjes së Vanjës dhe 74-vjeçarit Velesian Pançe Zhezovski.

Autopsia e trupave të të vrarëve Vanja dhe Pançe ka përfunduar më 5 dhjetor, por Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kriminologjisë është ende në pritje për të përgatitur dhe dorëzuar zyrtarisht gjetjet në Prokurori.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u  gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuarit, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua 40 ditë paraburgim ekstradues. Procedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”