Përsëri është shkelur afati, Boçvarsk optimist: Autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë, këtë javë pritet raporti i ekspertëve

Se si do të vazhdojë ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, e cila është dashur të përfundojë deri në fund të këtij viti, për momentin nuk dihet dhe gjërat duhet të bëhen më të qarta pas përfundimit të raportit të ekspertëve të angazhuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ndërmarrja Publike për rrugë shtetërore (NPRRSh), transmeton Portalb.mk.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski tha sot se pret që raporti i autoritetit mbikëqyrës dhe ekspertëve për FIDIC (Standardi ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare) t’i dorëzohet NPRRSh-së dhe Ministrisë gjatë kësaj jave.

Të gjitha vendimet dhe hapat e ardhshëm, siç tha Boçvarski, i cili sot ka inspektuar ndërtimin e digës në lumin Otinja në Shtip.

“Raporti është duke u përgatitur. Pres që gjatë kësaj jave të dorëzohet nga Autoriteti Mbikëqyrës dhe nga ekspertët e FIDIC në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore dhe në Ministri, pas së cilës do të kërkojmë që ai raport të shqyrtohet në seancë të Qeverisë dhe prej andej të gjithë Vendimet dhe hapat e ardhshëm do t’i bartim së bashku me Qeverinë… Hapat e ardhshëm duhet të dalin nga ekspertët të cilët do të japin udhëzime se si të vazhdohet me zgjidhjet më të mira për të përfunduar këtë projekt”, tha Boçvarski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Në këtë drejtim, ai theksoi se autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë, por, siç shtoi, do të duhet të ndiqen të gjitha procedurat që do të parashikojnë ekspertët dhe Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore dhe Qeveria.

I pyetur se sa do të duhet të paguajë shteti nëse ndërpritet kontrata me kontraktuesin e projektit – kompaninë kineze “Sinohydro”, Boçvarski u përgjigj:

“Nuk mund të flasim ende për ndërprerje të kontratës, nuk mund të flasim për hapat e ardhshëm derisa të shqyrtohet ai raport dhe të merret një vendim nga Qeveria”.

Lidhur me rrëshqitjet e ndodhura në trase – gjithsej 11 – dhe nëse po punohet për zgjidhjen e këtij problemi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve tha se do të ketë nevojë për riprojektim dhe zgjidhje të reja teknike.

“Ka punë në autostradë, ku ka front për punë. Ky ishte mesazhi nga Qeveria dhe nga unë dhe nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore për kontraktorët se kanë detyrim të punojnë në çdo pozicion ku ka front të hapur për punë. Por aty ku ka pasur vështirësi, rrëshqitje, situata të caktuara në lidhje me dokumentacionin e projektit dhe zgjidhjet teknike, sigurisht që duhet të ketë një riprojektim, të jepen zgjidhje të reja teknike dhe njëkohësisht të jepet një urdhër pune për kontraktorët”, tha Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski.

Muajin e kaluar, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve njoftoi se kishte kërkuar një auditim të projektit nga Enti Shtetëror i Revizionit(EShR), dhe se së bashku me NPRrSh u angazhua një ekspert i kontratave FIDIC për të analizuar kontratën ndërmjet Qeverisë dhe kontraktorit të projektit – kompanisë kineze “Sinohydro” – e nënshkruar saktësisht dhjetë vjet më parë.

Në të njëjtën kohë, autoritetet informuan se projekti nuk mund të përfundonte brenda afatit të përcaktuar për shkak të 11 rrëshqitjeve të dheut që ndodhën në itinerar.

Revizioni i ESHR-së dhe punësimi i ekspertëve ndërkombëtarë u paralajmërua një muaj më parë nga kryeministri Dimitar Kovaçevski pasi u bë e qartë se autostrada nuk do të përfundojë në afatin e caktuar. Auditimi, siç tha në atë kohë Kovaçevski, duhet të përgjigjet në pyetjen nëse kontraktori kinez dhe nënkontraktorët e punësuar janë në gjendje të ndërtojnë autostradën.

Në të njëjtën kohë, analizat e ekspertit të FIDIC do të duhet të tregojnë se cilat do të ishin efektet nëse i njëjti kontraktor do të vazhdonte ose do të ndërpritej bashkëpunimi, domethënë do të ndërpritet kontrata.

“Në atë rast (të ndërprerjes së kontratës), ka implikime financiare që mund të përcaktohen vetëm nga një gjykatë arbitrazhi ndërkombëtar që është specifikuar në kontratën (në Paris), e cila është votuar në Kuvend dhe të gjitha anekset janë votuar në Kuvend. Kështu që në bazë të të gjitha informatave që do të mblidhen, Kuvendit t’i propozohet një vendim dhe në fund fjalën përfundimtare ta ketë Kuvendi, gjegjësisht të gjithë deputetët njësoj sepse Kuvendi e ka obliguar Qeverinë me ligj që të punohet në këtë zgjidhje dhe në këtë mënyrë dhe me atë kontraktor nga Kina”, tha Kovaçevski më 7 nëntor.

Autostrada Kërçovë-Ohër në gjatësi prej 57 kilometrash është në ndërtim e sipër prej 10 vitesh.

Punimet për ndërtimin e këtij seksioni kanë filluar në shkurt të vitit 2014 nën qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe BDI dhe është dashur të përfundojnë deri në vitin 2018. Por ndërtimi u zgjat dhe ndërkohë qeveria ndryshoi. Sipas arsyetimit të institucioneve kompetente, zgjatja është kryesisht për shkak të lëshimeve në dizajn. Me aneks të Marrëveshjes, afati i ndërtimit u shty deri më 30 qershor 2021 dhe më pas afati është shtyrë sërish edhe për dy vite të tjera, pra deri në fund të vitit 2023, por edhe ky afat tashmë është shkelur. Sipas përllogaritjeve fillestare në vitin 2014, ndërtimi i autostradës nga Kërçova në Ohër është dashur të kushtojë 374 milionë euro, por pas anekseve të shumta shtesë ka arritur në gati 600 milionë euro.