Çifligaroski, i dyshuar për tri vepra penale në rastin “Zinxhiri”, u lirua në arrest shtëpiak
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dha mendim se është i bazuar propozimi i mbrojtjes së të dyshuarit Stojan Çifligaroski që masa e paraburgimit të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, transmeton Portalb.mk.
Këshilli Penal, duke vepruar në kuadër të propozimit të mbrojtjes dhe mendimit pozitiv të prokurorisë, mori vendim për ta pranuar propozimin e mbrojtjes si propozim të përbashkët të palëve dhe masën e paraburgimit e zëvendësoi me masën e arrestit shtëpiak.
Njëkohësisht, caktoi edhe masën e kujdesit – konfiskimin e dokumenteve të vlefshme të udhëtimit të të dyshuarit (dy pasaporta).
“Ky vendim bazohet në arsyetimin e paraqitur në mendimin pozitiv të prokurorisë, ku thuhet se procedura hetimore është në fazën përfundimtare, si dhe në gjendjen shëndetësore dhe familjare të të dyshuarit, të dëshmuara përmes dokumentacionit mjekësor”, thuhet në njoftim.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi brenda 24 orëve nga pranimi i tij, ndërsa ankesa nuk e shtyn ekzekutimin e vendimit.
Ljupço Pecov Djalli nga Negotina, së bashku me Stojan Çifligaroski nga Manastiri, dyshohet se janë organizatorë të grupit që kreu shmangie tatimore përmes faturave fiktive. Të pandehurit e tjerë, përfshirë shoferë ekskavatorësh, çelësbërës, u dënuan për krime financiare prej 8 milionë eurosh.
Çifligaroski dyshohet për bashkim kriminal, evazion fiskal dhe pastrim parash në rastin „Zinxhiri“
Ndryshe, në rastin“ Zinxhiri”, e cila u hap në fund të tetorit të vitit të kaluar, në hetim janë përfshirë 26 persona, pronarë dhe drejtues të 28 kompanive, të dyshuar se kanë krijuar një skemë evazioni fiskal, përmes së cilës duke lëshuar fatura me TVSH për blerjet e pretenduara, të cilat nuk ekzistonin, e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth tetë milionë euro.