Postimi u fshi, por jo edhe reagimet, tetë organizata kërkuan nga Mickoski shkarkimin urgjent të Kitanoviqit
Tetë organizata të shoqërisë civile kërkojnë nga kryeministri Hristijan Mickoski që urgjentisht ta shkarkojë drejtorin e Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, Dalibor Kitanoviq, pasi ai në rrjetin social Facebook lavdëroi kriminelin e luftës Ratko Mlladiq, i dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Kitanoviq, i cili është anëtar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, publikoi një fotomontazh në të cilin Ratko Mlladiq paraqitej së bashku me figura nga historia serbe, ndër të cilët edhe Draza Mihajlloviq, ndërsa me shkronja të mëdha shkruhej: “Gjeneralët e ushtrisë qiellore”, transmeton Portalb.mk.
Pas reagimeve të shumta në opinion, Kitanoviq e fshiu postimin dhe i kërkoi falje kryeministrit, ndërsa Mickoski deklaroi se “nuk duhet ta kryqëzojmë drejtorin dhe të kërkojmë përgjegjësi penale aty ku nuk ekziston”.
“Unë nuk jam i informuar se përbën vepër penale, por ajo që ai tha dhe ajo që Qeveria ka si qëndrim janë dy gjëra të ndryshme. Qeveria kishte deklaratën e saj. Qeveria është demokratike, ka debat të vetin brenda koalicionit dhe kur merret qëndrim për një çështje të caktuar, të gjithë pjesëmarrësit në Qeveri duhet ta ndjekin atë qëndrim”, tha Mickoski, duke shtuar se qeveria e koalicionit duhet t’i mbrojë qëndrimet pas të cilave është rreshtuar, ndërsa çdo gjë tjetër është qëndrim individual.
Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se postimi i Kitanoviqit nuk mund të trajtohet vetëm si qëndrim privat, pasi vjen nga një bartës i një funksioni publik, i cili drejton institucionin përgjegjës për realizimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve më të vogla, përfshirë boshnjakët, turqit, romët, serbët, vllehët dhe komunitetet e tjera.
“Nga drejtori i Agjencisë pritet të kontribuojë në besimin ndëretnik, barazinë dhe bashkëjetesën. Lavdërimi i figurave dhe ideologjive të lidhura me përndjekjen, asimilimin, krimet e luftës dhe gjenocidin është i papajtueshëm me mandatin dhe përgjegjësinë e funksionit që ushtron”, thuhet në kërkesën e organizatave të shoqërisë civile drejtuar kryeministrit.
Organizatat theksojnë gjithashtu pozitën e të punësuarve në Agjenci, të cilët u përkasin komuniteteve të prekura, duke ngritur pyetjen nëse ata mund të ndihen të sigurt dhe me dinjitet në një mjedis pune të udhëhequr nga një drejtor që publikisht shpërndan mesazhe të tilla.
Ata kërkojnë nga Qeveria të shqyrtojë përgjegjësinë politike, etike dhe institucionale të Kitanoviqit, të marrë vendim për shkarkimin e tij, të ndërmarrë masa për mbrojtjen e të punësuarve dhe publikisht të distancohet nga lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe ideologjive që nxisin urrejtje kombëtare dhe fetare.
Në të njëjtën kohë, ata kërkojnë që Prokuroria Publike, sipas detyrës zyrtare, të shqyrtojë përmbajtjen dhe kontekstin e postimit dhe të përcaktojë nëse ekzistojnë elemente të veprës penale në përputhje me nenin 407-a të Kodit Penal, i cili i referohet “miratimit ose justifikimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës”. Në paragrafin 1 të këtij neni thuhet:
“Ai që përmes një sistemi informativ publikisht mohon, minimizon rëndë, miraton ose justifikon veprat nga nenet 403 deri në 407, do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”.
Organizatat e shoqërisë civile ia kanë dorëzuar kërkesën edhe Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe koordinatorit kombëtar për bashkëpunim ndëretnik dhe ndërinstitucional, Salko Kuç. Kërkesa është nënshkruar nga përfaqësuesit e OJQ-së “Shadrvan”, OJQ-së “Divan”, Institutit për Hulumtim dhe Analizë të Politikave “RomaliTiko”, OJQ-së “Divanhana”, OJQ-së “Legis”, OJQ-së “Smart Kod”, Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe Bashkësisë Kulturore Boshnjake.
Lidhur me vlerësimin e kryeministrit se Kitanoviqi nuk duhet të “kryqëzohet” pasi ka kërkuar falje, sot reaguan sërish edhe nga LSDM-ja.
“Nuk ka as dorëheqje, as shkarkime të Ivan Stoilkoviqit dhe Dalibor Kitanoviqit pas skandalit me lavdërimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq. Mickoski i shpëtoi. Nuk është dashur të kërkohet përgjegjësi penale, thotë Mickoski, mjaftoi që ai ta fshinte qëndrimin e tij. Ligji nuk vlen për ministrat dhe drejtorët e Mickoskit, nuk vlen as për Mickoskin, ai vendos nëse dikush duhet të ndiqet penalisht apo jo”, theksuan nga LSDM-ja.
Sipas socialdemokratëve, fshirja e një postimi nga profili në rrjetet sociale nuk nënkupton fshirjen e një qëndrimi.
“Është e qartë se ky njeri e mbështet gjenocidin. Dhe kjo është diçka që Mickoski nuk mund ta fshijë. Fshirja e postimit nuk mund ta fshijë historinë dhe nuk mund ta fshijë aktgjykimin për krime lufte ndaj Mlladiqit të dënuar. Qëndrimi i njerëzve në Qeverinë e Maqedonisë, të cilët përfaqësojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, për çështjen e gjenocidit nuk mund të jetë thjesht qëndrim i një qytetari të zakonshëm. Pa dorëheqje dhe pa shkarkime të Stoilkoviqit dhe Kitanoviqit do të thotë se ata kanë mbetur me të njëjtin qëndrim se Mlladiqi është gjenerali i tyre”, porositën nga LSDM-ja.
Ratko Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë rolin e tij në masakrën e Srebrenicës. Apeli i tij u refuzua në vitin 2021.
- LEXO: Nga glorifikimi i Mlladiqit te “viktima e linçimit”: Kitanoviqi fshiu postimin dhe i kërkoi falje Mickoskit
- LEXO: Skandaloze, drejtori i Agjencisë për të Drejtat e Komuniteteve në RMV dhe partia e Stoillkoviqit glorifikojnë Ratko Mlladiqin
- LEXO: Nuk festohet 35-vjetori i pavarësisë duke glorifikuar kriminelë lufte
- LEXO: Rreziqet e glorifikimit të Mlladiqit
- LEXO: Përplasje mes partive për ndikimin serb dhe glorifikimin e Ratko Mlladiqit në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Qeveria i bëri thirrje Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin admirues për Mlladiçin