S’ka zgjidhje përfundimtare për çështjen e klasave shqipe në “Penko” përkundër njoftimit të Sulejmanit, prindërit me peticion
Ende nuk ka zgjidhje përfundimtare për paralelen e pestë në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel të Shkupit. Prindërit e nxënësve që nuk janë pranuar në këtë shkollë kanë dorëzuar peticion tek institucionet kompetente, pasi, edhe pse zëvendësministrit të Arsimit, Driton Sulejmani tha se problemi ishte zgjidhur, paralelja nuk është rikthyer, shkruan Portalb.mk.
Sipas prindërve, deri tani janë pranuar vetëm nxënësit që kanë vëlla ose motër që ndjekin mësimin në këtë shkollë, ndërsa fëmijët e tjerë nuk janë pranuar.
Njëri prej prindërve tha për Portalb.mk se peticioni është dorëzuar në Komunën e Butelit dhe në Ministrinë e Arsimit.
“Dje kemi dërguar peticion te Komuna e Butelit dhe te Ministria e Arsimit. Janë pranuar vetëm ata që kanë vëlla ose motër që ndjekin mësimin në këtë shkollë, të tjerët jo. Mbrëmë kemi pasur takim me përfaqësues të shkollës. Na thanë që paralelja nuk do të mbyllet dhe se do të pranohen të gjithë nxënësit. Tash jemi duke e pritur”, deklaroi njëri nga prindërit.
Në peticionin e drejtuar institucioneve, prindërit shprehin shqetësimin se, sipas informacioneve që posedojnë, për disa nxënës është bërë përjashtim nga kriteret e përcaktuara, duke u lejuar regjistrimi në gjuhën maqedonase dhe turke, pa ndonjë ndalesë apo kufizim.
Sipas tyre, një praktikë e tillë selektive krijon dyshime për trajtim të pabarabartë dhe diskriminim mbi baza etnike dhe gjuhësore.

Këshilltari i AKI-së në Komunën e Butelit, Armend Murseli, e cilësoi “gjysmake” zgjidhjen e paralajmëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani. Sipas tij, paralelja vazhdon të jetë e mbyllur, ndërsa pranimi vetëm i fëmijëve që kanë vëlla ose motër në shkollë nuk e zgjidh problemin.
“Zgjidhja e paralajmëruar nga zv.ministri i Arsimit është zgjidhje gjysmake. Paralelja vazhdon të jetë e mbyllur, ndërsa fëmijët e Çairit do të regjistrohen me përjashtim, vetëm ata të cilët kanë vëllezër e motra të regjistruar në këtë shkollë. Duhet zgjidhje e plotë e këtij problemi. Kryetari i Komunës së Butelit duhet të respektojë vendimin për rajonizim, që ua mundëson fëmijëve nga Çairi regjistrimin në ‘Penko’”, deklaroi Murseli për Portalb.mk.
Ditë më parë, Sulejmani njoftoi se çështja ishte zgjidhur, por nuk tregoi se cila ishte zgjidhja. Marrëveshjen e bëri të ditur më pas kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili dje deklaroi se, në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, është vendosur që fëmijët nga komunat e tjera të pranohen në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski – Penko” vetëm nëse kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin në këtë shkollë.
Kjo zgjidhje nuk parashihte rikthimin e paraleles së pestë në gjuhën shqipe, por vetëm pranimin e nxënësve që plotësojnë këtë kusht.
Sot, i pyetur nga Portalb.mk për këtë çështje, Sulejmani tha se do të zhvillojë përsëri një takim me ministren e Arsimit dhe se pas takimit do të deklarohet.
Problemi i fillorisëve shqiptarë u bë publik pasi organet lokale vendosën që njëra nga pesë paralelet e klasës së parë në gjuhën shqipe të mos funksionojë. Si arsye u përmendën numri i nxënësve dhe rajonizimi. Nga ana tjetër, prindërit kërkojnë që të gjendet një zgjidhje përfundimtare dhe t’u mundësohet regjistrimi të gjithë nxënësve që duan të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski – Penko”.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikave për vitin e kaluar shkollor 2024-2025 në komunën e Butelit gjithsej ka 5 276 nxënës, prej të cilëve më së shumti shqiptarë, edhe atë 2 971, pastaj maqedonas 1 741, turq, 230, Boshnjakë 165, romë 100, Serbë 18 dhe të tjerë. Shkolla Fillore “Penko” numëron mbi 1,700 nxënës, prej tyre 90% janë shqiptarë.
- LEXO: Fëmijët nga Çairi nuk pranohen në “Penko”, BDI: Është marrë vendim për mbylljen e një paraleleje në gjuhën shqipe
- LEXO: Këshilltarët shqiptarë braktisën seancën në Butel, kundërshuan mbylljen e paraleles shqipe në “Penko”
- LEXO: Fillimi i vitit shkollor e gjen RMV-në me klasa të zbrazëta, masa të reja nga 1 shtatori