Nga glorifikimi i Mlladiqit te “viktima e linçimit”: Kitanoviqi fshiu postimin dhe i kërkoi falje Mickoskit
“Sinqerisht i kërkoj falje kryetarit të Qeverisë, z. Hristijan Mickoski, dhe anëtarëve të Qeverisë, të cilët për shkak të postimit tim u përfshinë në mënyrë të panevojshme në një përplasje politike dhe u ekspozuan ndaj sulmeve për diçka për të cilën nuk mbajnë asnjë përgjegjësi”, shkroi sot në rrjetet sociale drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, pasi para tri ditësh, me një postim tjetër ku glorifikohej figura e kriminelit Ratko Mlladiq, shkaktoi reagime të shumta në opinion, transmeton Portalb.mk.
Kitanoviq thotë se postimin e kontestuar e ka fshirë menjëherë dhe se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për çdo fjalë të tij, por, siç shton, nuk do të mbajë përgjegjësi “për manipulimet e të tjerëve” me fjalët e tij.
“Nuk do të pranoj që tërheqja ime e postimit të shndërrohet në pranim të diçkaje që nuk e kam bërë. Nuk do të lejoj që mirësjellja ime njerëzore të interpretohet si dobësi. Dhe nuk do të lejoj që përmes meje të ofendohet as populli im, as partia ime. Por, politikanëve që ushqehen me kufoma, gjykatësve të përhershëm moralë dhe atyre që dhimbjen e të tjerëve e shndërrojnë në municion politik, u them: Mos tregtoni me viktimat. Mos ndërtoni karriera politike mbi varre. Mos e përdorni tragjedinë e një populli për ta ofenduar tjetrin. Dhe mos prisni që nën presionin e një gjuetie të organizuar të hesht, ndërsa përmes emrit tim shfryhet urrejtje ndaj popullit tim dhe bindjeve të mia politike”, shkroi Kitanoviq në rrjetet sociale.
Për kujtesë, Kitanoviq javën e kaluar në Instagram publikoi një fotokompozim në të cilin Ratko Mlladiqi paraqitej së bashku me figura të historisë serbe, ndër të cilët edhe Drazha Mihajlloviq, ndërsa me shkronja të mëdha ishte shkruar: “Gjeneralët e ushtrisë qiellore”. Postimi i drejtorit shkaktoi reagime të forta nga një pjesë e partive opozitare, si dhe nga sektori civil, të cilët kërkuan që ai të mbajë përgjegjësi penale.
Glorifikimi i kriminelit të luftës nxiti reagime dhe kërkesa për llogaridhënie nga një sërë subjektesh politike, përfshirë LSDM-në, BDI-në, SDA-në e Maqedonisë dhe PLD-në.
Një pjesë e partive opozitare e akuzuan pushtetin se po e mbron Kitanoviqin dhe Partinë Demokratike të Serbëve në Maqedoni (DPSM), si dhe se nuk ka dhënë përgjigje adekuate për postimin e diskutueshëm.
Kitanoviq mohon se me veprimin e tij ka pasur për qëllim të ofendojë, poshtërojë apo lëndojë ndonjë pjesëtar të cilitdo popull, feje apo bashkësie etnike.
Lidhur me reagimet e ditëve të fundit për postimin e tij, ai thotë se bëhet fjalë për damkosje publike dhe përpjekje për linçim politik.
“Ajo që pasoi gjatë ditëve të fundit ka tejkaluar prej kohësh kufijtë e kritikës legjitime. Bëhet fjalë për një përplasje të organizuar politike dhe mediatike, për damkosje publike dhe përpjekje për linçim politik. Nga një postim i fshirë u konstruktua një aktakuzë kundër meje, kundër partisë sime, madje edhe kundër popullit të cilit i përkas. Këtë nuk do ta hesht. Është veçanërisht hipokrite që sot leksione për moralin, paqen dhe bashkëjetesën të japin njerëz dhe struktura politike, e kaluara politike e të cilëve është e ngarkuar me ngjarje të rënda nga historia e afërt maqedonase, si dhe ata që me vendime politike kanë mundësuar që këto çështje të mbeten pa zgjidhje të plotë institucionale. Aq më pak pranoj që qendra mediatike pranë këtyre strukturave të organizojnë gjykime publike dhe të japin paraprakisht verdikte… Kërkoj falje kur kam lënduar dikë – dhe këtë e bëj pa rezervë. Por nuk do të gjunjëzohem para linçimit politik. Nuk do të heq dorë nga dinjiteti im”, thotë drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve.
Ai thotë se nuk do të heqë dorë nga e vërteta për familjen e tij. Sipas tij, një pjesë e familjes së tij të ngushtë në Bosnjë e Hercegovinë i ka mbijetuar rrethanave të luftës falë, siç thekson në postim, njësive të rregullta ushtarake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq.
“Kjo është pjesë e përvojës sonë personale dhe familjare dhe askush nuk ka të drejtë të kërkojë nga unë ta fshij nga kujtesa ime. Por ndjenja ime personale e mirënjohjes për anëtarët e familjes sime të shpëtuar kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë mohim apo nënvlerësim i dhimbjes së të tjerëve, viktimave të të tjerëve dhe humbjeve të të tjerëve”, thotë ai.
Postimi i diskutueshëm i drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve u publikua pas vdekjes së ish-komandantit të Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Srpska dhe kriminelit të dënuar të luftës. Ratko Mlladiqi vdiq të enjten në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte.
Qeveria e kishte ftuar drejtorin të japë dorëheqje nga funksioni nëse nuk pajtohet me qëndrimin se Ratko Mlladiqi është dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Pas kësaj, Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni, në Facebook, shprehu mbështetje për Kitanoviqin, duke shpërndarë komente nga rrjetet sociale në të cilat shprehej mbështetje për të.
Në faqen në Facebook të Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, ndërkaq, u publikua një tekst nga njëfarë Tatjana Domazet, në të cilin thuhet se shumë serbë e shihnin Ratko Mlladiqin si gjeneralin e tyre në kohën kur po shpërbëheshin shtetet, po ndaheshin familjet, po humbnin jetë dhe në një kohë kur askush nuk mund ta dinte se çfarë do të sillte mëngjesi i ardhshëm.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ndërkohë sot, në pyetjen e Portalbit se kur do të shkarkohet drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, tha se këtë e vendos qeveria e RMV-së.