Nuk festohet 35-vjetori i pavarësisë duke glorifikuar kriminelë lufte

Shkuran: Bardhyl Jashari

Vdekja nuk e fshin aktgjykimin. Kur një kriminel lufte ngrihet në piedestal nga zyrtarë të pushtetit, cenohet dinjiteti i viktimave, dobësohet sundimi i ligjit, dëmtohet vetë ideja e Maqedonisë së Veriut si shoqëri shumetnike dhe komprometohet vizioni evropian i vendit. Në vitin kur Maqedonia shënon 35 vjet pavarësi, duhet ta kemi kuptuar tashmë se shteti nuk ndërtohet duke glorifikuar kriminelë lufte.

Vdekja e Ratko Mladiqit nuk e ndryshon të vërtetën për të: ai nuk ishte as hero ushtarak dhe as viktimë e Hagës, por një kriminel lufte i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera mizore. Ai vdiq më 27 gusht 2026, në kohën kur vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Në vitin 2017 u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndërsa aktgjykimi u konfirmua në apel më vitin 2021. Përgjegjësia e tij përfshinte gjenocidin e Srebrenicës, përndjekjen, shfarosjen, vrasjet, dëbimet dhe shpërnguljen e dhunshme, terrorin dhe sulmet e paligjshme ndaj civilëve në Sarajevë, si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të OKB-së. Krimet e tij ishin monstruoze, prandaj e quanin Kasapi i Ballkanit. Këto nuk janë vetëm cilësime politike ose emocionale dhe faji e tij nuk është çështje opinioni. Përgjegjësia për gjenocid dhe krime lufte u vërtetua me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. (IRMCT)

Prandaj është e papranueshme edhe mënyra se si disa media e trajtuan vdekjen e tij. Të shkruash se vdiq në Hagë, të numërosh sëmundjet dhe kërkesat për lirimin e tij, por të mos shpjegosh qartë pse ndodhej atje, nuk është raportim neutral. Është krijim i një biografie të rreme, në të cilën mbeten uniforma dhe grada, ndërsa zhduken viktimat dhe krimet.

Edhe më shqetësuese është se glorifikimi nuk mbeti vetëm në komentet e qytetarëve. Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni, e udhëhequr nga ministri Ivan Stoilkoviq, e paraqiti Mladiqin si një gjeneral që i kishte shërbyer ushtrisë dhe popullit, duke sugjeruar se shumë njerëz do ta kujtonin “jo sipas Hagës”. Ndërkohë, Dalibor Kitanoviq, drejtor i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, publikoi një fotomontazh në të cilin Mladiqi renditej ndër “gjeneralët e ushtrisë qiellore”. Këto nuk janë shprehje neutrale zie. Janë ngritje e një krimineli të dënuar, në rangun e heroit kombëtar.

Kur këtë e bën një qytetar, mbase do thoshim se kemi problem shoqëror, ku mungon empatia, minimizohet dhe relativizohet vepra e gjenocidit, se ekziston jotolerancë ndëretnike, urrejtje, etj. Por, kur këtë e bën një zyrtar shtetëror, atëherë kjo shndërrohet në skandal institucional. Problemi më nuk është më vetëm shoqëror, ai është edhe institucional dhe politik, sepse mesazhi vjen nga përfaqësues të shtetit. Është veçanërisht e rëndë që këtë ta bëjë drejtuesi i një institucioni që, sipas misionit të vet, duhet të sigurojë qasje të barabartë, respekt për dallimet dhe avancimin e të drejtave të të gjitha bashkësive.

Maqedonia është shtëpi e përbashkët e shumë bashkësive etnike dhe fetare. Këtu jetojnë edhe qytetarë boshnjakë, për të cilët Srebrenica nuk është një ngjarje e largët e historisë. Të glorifikosh njeriun e dënuar për gjenocidin ndaj boshnjakëve do të thotë t’u dërgosh atyre mesazhin se dhimbja dhe dinjiteti i tyre vlejnë më pak. Kjo është goditje e drejtpërdrejtë ndaj besimit ndëretnik dhe kohezionit shoqëror, i cili edhe pa provokime të tilla mbetet i brishtë.

Ajo që duhet gjithashtu të theksohet është se dënimi i Mladiqit nuk është qëndrim kundër popullit serb. Përkundrazi, është refuzim i përpjekjes që një popull i tërë të identifikohet me krimet e një individi dhe me ideologjinë që i prodhoi ato. Përgjegjësia penale është individuale, respekti për viktimat duhet të jetë univerzale.

Glorifikimi, mohimi ose minimizimi i gjenocidit dhe i krimeve të luftës nuk është vetëm akt moralisht i papranueshëm, ky akt, sipas ligjit mund të përbëjë edhe vepër penale. Neni 407a i Kodit Penal parashikon përgjegjësi penale për mohimin publik, minimizimin, miratimin ose arsyetimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, përfshirë rastet kur këto bëhen përmes sistemeve informatike. Nëse postimet konkrete i përmbushin të gjitha elementet e veprës penale, këtë duhet ta përcaktojnë Prokuroria dhe gjykata. Institucionet kompetente kanë detyrim ta shqyrtojnë rastin dhe të përcaktojnë nëse ekziston bazë për përgjegjësi penale dhe assesi te injorohet. Megjithatë, përgjegjësia politike dhe morale është çështje më vete dhe nuk duhet të presë përfundimin e procesit gjyqësor. Dorëheqja ose shkarkimi i një zyrtari mund të kërkohet menjëherë, sapo sjellja e tij të vlerësohet si e papajtueshme me funksionin publik që bart, pavarësisht nëse më vonë do të konstatohet apo jo edhe përgjegjësi penale.

Shumë parti, mes tyre LSDM-ja, BDI-ja, SDA e Maqedonisë, PLD-ja e dënuan glorifikimin dhe kërkuan përgjegjësi. Reagoi edhe koalicioni VLEN, por reagimi i këtij koalicioni duhet vlerësuar ndryshe, sepse VLEN-i është pjesë e Qeverisë dhe bashkëqeveris me subjektet dhe zyrtarët që e bënë glorifikimin e kriminelit të luftës. Megjithëse në përgjithësi, ata e dënuan madhërimin e Ratko Mladiqit dhe kërkuan “përgjegjësi të menjëhershme”, VLEN-i nuk i përmendi as Dalibor Kitanoviqin, as Agjencinë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive që ai drejton. Po ashtu, nuk iu referua drejtpërdrejt publikimit të Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, të udhëhequr nga ministri Ivan Stoilkoviq, i cili është partneri i VLEN-it në koalicionin qeveritar. Një dënim që nuk tregon qartë se kush duhet të mbajë përgjegjësi mbetet i paplotë dhe u lejon partnerëve të pushtetit të fshihen pas formulimeve të përgjithshme.

VMRO-DPMNE-ja fillimisht heshti. Dje, më 30 gusht deklaroi se qëndrimi i Qeverisë mbështetet në faktet juridike të përcaktuara ndërkombëtarisht dhe se zyrtarët që e kanë mbështetur Mladiqin duhet ta tërheqin qëndrimin e tyre ose të largohen nga funksioni. Megjithatë, edhe ky reagim është i zbehtë: nuk përmenden me emër përgjegjësit, nuk kërkohet shkarkimi i tyre dhe nuk e trajtojnë drejtpërdrejt përgjegjësinë e ministrit Stoilkoviq dhe të partisë që ai udhëheq dhe është pjese e qeverisë. Ndërsa Kitanoviqit praktikisht iu la mundësia ta fshijë ose ta tërheqë postimin dhe të vazhdojë ta drejtojë Agjencinë. Por fshirja e një postimi nuk i fshin qëndrimet e shprehura dhe as zhgënjimin dhe dëmi që ato kanë shkaktuar.

Më 16 korrik 2026, vetëm gjashtë javë para këtyre ngjarjeve, Maqedonia e Veriut u rreshtua zyrtarisht me deklaratën e Bashkimit Evropian në OSBE, sipas së cilës në Evropë nuk ka vend për mohimin e gjenocidit, revizionizmin dhe glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës. (European External Action Service). Kuptohet që postimet e disa zyrtarëve nuk e ndalin dhe dëmtojnë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Por tolerimi i qëndrimeve të tilla nga përfaqësues të pushtetit e minon besueshmërinë e vendit kandidat dhe tregon se vlerat evropiane pranohen në deklarata, por jo domosdoshmërisht në praktikë. Maqedonia nuk mund të dënojë glorifikimin e kriminelëve të luftës në forumet ndërkombëtare, ndërsa brenda vendit të tolerojë të njëjtën gjë nga zyrtarët e saj.

Ratko Mladiq ka vdekur. Por ideologjia që e shndërron kriminelin në hero mbetet gjallë sa herë që glorifikimi tolerohet për hir të interesave të ndryshme partiake apo të tjera. Qeveria duhet të tregojë qartë se zgjedh anën e viktimave, respekton ligjin dhe mbron të ardhmen tonë të përbashkët, edhe kur kjo kërkon përgjegjësi nga zyrtarët dhe partnerët e saj të koalicionit. Pa respekt për dinjitetin e çdo qytetari, nuk mund të ketë kohezion shoqëror. Pa pranimin e së vërtetës, nuk mund të ketë pajtim. Dhe një shtet që toleron glorifikimin e kriminelëve të luftës nuk mund të pretendojë se po ndërton një të ardhme evropiane.