Mickoski: Provimi në gjuhën amtare, por përdorimi i maqedonishtes në drejtësi është rekomandim i Komisionit të Venedikut
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se ka zhvilluar një takim dyorësh me përfaqësuesit e studentëve, ku është diskutuar për kompensimin e ushqimit studentor dhe dhënien e provimit të jurisprudencës. Ai e cilësoi takimin si konstruktiv dhe tha se Qeveria ka prezantuar propozimet e saj, ndërsa tani pret përgjigjen e studentëve, transmeton Portalb.mk.
“Ne e shpjeguam propozimin e Qeverisë dhe vlerësojmë se ky propozim është një zgjidhje shumë më e mirë sesa ajo që kanë aktualisht, për çka u pajtuan edhe ata. Tani presim një përgjigje”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se studentët kishin premtuar se do t’ua dërgonin një version fillestar të qëndrimit të tyre, pasi të konsultoheshin me kolegët, por kjo ende nuk ka ndodhur.
Sa i përket provimit të jurisprudencës, Mickoski tha se propozimi i prezantuar nga ministri i Drejtësisë është përgatitur nga Qeveria, pasi, sipas tij, deri më tani nuk ka pasur propozime të tjera.
Ai tha se zgjidhja e propozuar do t’i dërgohet Komisionit të Venecias dhe synon të mundësojë dhënien e provimit në gjuhën në të cilën kandidatët kanë përfunduar arsimin e lartë, duke garantuar njëkohësisht zbatimin e parimit të përdorimit të një gjuhe të përbashkët në sistemin e drejtësisë.
“Zgjidhja që ofrojmë, nga njëra anë, mundëson respektimin e së drejtës për ta dhënë provimin në gjuhën në të cilën është përfunduar arsimi i lartë, përkatësisht të drejtën për ta përdorur gjuhën amtare, ndërsa nga ana tjetër, siguron sundimin e së drejtës”, tha Mickoski.
Ai gjithashtu kritikoi partitë politike që, sipas tij, po përpiqen ta polarizojnë gjendjen në vend mbi baza etnike, duke pretenduar se për më shumë se dy dekada nuk kanë ofruar zgjidhje për këtë çështje.
Lëvizja Studentore, pas takimit me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, deklaruan se nuk janë të kënaqur me zgjidhjen e propozuar për provimin e jurisprudencës dhe se nuk kanë arritur marrëveshje me ministrin. Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, tha para mediave se nëse propozimi miratohet në Kuvend, ata nuk do ta pranojnë dhe do të protestojnë.
Ademi bëri të ditur se ministri i Drejtësisë ka propozuar që 12 provime të mbahen në gjuhën shqipe, ndërsa dy në gjuhën maqedonase. Sipas studentëve, kjo nuk përbën zgjidhje të plotë dhe nuk i përmbush kërkesat e tyre për dhënien e provimit të jurisprudencës tërësisht në gjuhën shqipe.
Ai kritikoi faktin që, sipas tij, ende po kërkohet mendimi i Komisionit të Venedikut, ndërsa pretendoi se Parlamenti Evropian ka dhënë qëndrimin e tyre se provimet shtetërore mund të mbahen edhe në gjuhën shqipe.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
Kërkesën për dhënie të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët e artikuluan edhe përmes disa protestave në Shkup, ndërsa mbështetje morën edhe nga kolegët e tyre nga Prishtina dhe Tirana.
- LEXO: Studentët kundërshtuan propozimin e Shasivarit, provimi të mbahet tërësisht në shqip ose do të ketë protesta
- LEXO: Mickoski: Pjesa me gojë e provimit të jurisprudencës të jepet në maqedonisht, ndërsa pjesa me shkrim në gjuhën në të cilën studiohet
- LEXO: Studentët paralajmëruan protestë, nuk e pranuan propozimin e Shasivarit për jurisprudencën
- LEXO: Studentët kundër propozimit “12 me 2” për jurisprudencën: Të mbahet 100% në shqip, kërkojmë zbatimin e Ligjit për gjuhët