Magyar: Vëllai i Viktor Orbanit është arrestuar në kuadër të një hetimi për trafikim me njerëz

Autoritetet hungareze kanë ndaluar vëllain e Viktor Orbanit, si pjesë e një hetimi për trafikim me njerëz, deklaroi kryeministri Peter Magyar, transmeton The Guardian.

Organi hungarez kundër korrupsionit, Zyra Kombëtare për Mbrojtjen dhe Rikthimin e Pasurisë (NVVH), njoftoi se së bashku me policinë ka ndaluar katër persona dhe ka bastisur banesa në Budapest dhe në qarkun e Pestit.

„Tre ish-ministra të Orbanit tashmë janë në paraburgim“, tha Magyar në Berlin, ku mbajti një fjalim. „Vëllai i tij u ndalua sot“, shtoi ai, duke iu referuar vëllait të ish-kryeministrit, Aronit, 49 vjeç.

Në një postim në Facebook, Orban e cilësoi ndalimin e vëllait të tij si një rast të hakmarrjes politike. „Në këtë lojë të pistë, qëllimi është eliminimi i kundërshtarit politik dhe vendosja e një sistemi njëpartiak. Unë jam objektivi, ndërsa vëllai im më i vogël është vetëm një mjet“, shkroi ish-kryeministri.

NVVH është themeluar nga Hungaria për të hetuar pretendimet për korrupsion gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orbanit. Ky i fundit i ka mohuar këto pretendime.

Hungaria e rrëzoi Orbanin në zgjedhjet e prillit, ndërsa NVVH është në qendër të fushatës kundër korrupsionit të qeverisë së tij, të cilën ai e ka quajtur „Operacioni Purgatori“.

Në një njoftim të publikuar të hënën thuhet se katër të ndaluarit dyshohen se u kanë ndihmuar shtetasve vietnamezë të arrijnë në Evropën Perëndimore gjatë disa muajve të vitit 2024.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit u kanë kërkuar aplikuesve për viza një „tarifë rekrutimi“ në misionet diplomatike të Hungarisë në Vietnam, të cilën më pas e kanë ndarë mes tyre.

Gruaja dhe tre burrat e ndaluar dyshohen për „kontrabandim me njerëz, të kryer si pjesë e një marrëveshjeje kriminale me qëllim përfitimin financiar“, njoftoi policia.