BDI-ja e akuzoi ISHP-në se ka ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe, Instituti e mohoi dhe përkujtoi krimet e BDI-së

Përmes një reagimi publik, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka theksuar se Instituti për Shëndetin Publik ka ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe nëpër dokumentet e këtij institute, ndërsa Instituti ka mohuar një gjë të tillë, ndërkohë ka përkujtuar krimet e BDI-së derisa ishin në pushtet, transmeton Portalb.mk.

“Gjithnjë e më shpesh, drejtues institucionesh po marrin rolin e gjykatësit, duke shkelur pa skrupuj ligjin dhe duke vendosur sipas vullnetit personal nëse gjuha shqipe duhet të përdoret në komunikimin zyrtar. Denoncimi i fundit vjen nga burime brenda Institutit të Shëndetit Publik, ku mësohet se drejtoresha aktuale, Marija Andonovska, ka urdhëruar të gjithë sektorët që komunikimi zyrtar të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase”, deklaruan nga BDI-ja.

Ata kërkuan nga Inspektorati për Zbatimi ne Gjuhëve të marrë masa dhe të zhvillojë inspektimet në terren.

“Dhe përfundimisht, është koha që Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të dalë nga strofulla e turpit dhe të fillojë të kryejë detyrën për të cilën është themeluar! Inspektorati duhet të ndërmarrë menjëherë mbikëqyrje institucionale dhe veprimet adekuate juridike kundër të gjithë atyre që shkelin ligjin në fuqi, pa dallim funksioni apo përkatësie politike”, deklaruan nga BDI-ja.

Por, Instituti për Shëndetin Publik ka deklaruar se së fundmi ky Inspektorat ka qenë për mbikëqyrje në këtë Institut, ku nuk kanë konstatuar shkelje ligjore.

“Vërehet që BDI-ja është e motivuar nga arsyet tjera në lidhje me akuzat e këtilla të pabaza”, deklaruan nga Instituti, duke përkujtuar për krimet e BDI-së, si mosshkuarja në punë dhe marrja e rrogave dhe shpenzimin e buxhetit.