Pendarovski: Zvarritja e integrimit po lëkund besimin në BE

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se zvarritja procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian po lëkund besueshmërinë ndaj bllokut, dhe kjo sipas tij paraqet kërcënim për demokracinë në Ballkanin Perëndimor, transmeton REL.

Në konferencën e Kartës SHBA-Adriatik (A-5) në Shkup kushtuar stabilitetin në rajon si dhe ngritjes së ndërgjegjësimit dhe gatishmërisë për mbrojtje kolektive kundër kërcënimeve më të mëdha, Pendarovski theksoi nevojën për shpejtimin e procesit integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

“Për fat të keq, zvarritja e integrimit evropian, për arsye të ndryshme, praktikisht në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, po lëkund besueshmërinë e Bashkimit Evropian. Ritmi i ngadaltë i procesit të integrimit në bllok është një nga kërcënimet për demokracinë në Ballkan. Disa sondazhe të opinionit publik tregojnë se mbështetja për organizatat dhe vendet me orientim perëndimor është në rënie dhe për herë të parë pas tre dekadash po rritet mbështetja për disa organizata të tjera rajonale dhe modele të tjera të menaxhimit”, theksoi Pendarovskikonferencën e komandës së forcave amerikane në Evropë dhe shefave të ushtrive të shteteve anëtare të Kartës Adriatikut (A-5), të mbajtur më 27 shtator.

Sipas Pendarovskit, zvarritja e integrimeve evropiane krijon rrezik për kërcënime hibride dhe rrënimin e stabilitetit të rajonit.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.