Post festumi i një gare

Në zgjedhjet presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut votoi rreth gjysma e trupit votues. Shtatë përqind më shumë krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Kandidatja e VMRO-së për presidente shteti avancoi me mbi 182 mijë vota kundrejt kandidatit të LSDM-së. Kjo epërsi e thellë është vështirë për t’u ndryshuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Partitë shqiptare, me gjasë, do të qëndrojnë anash. Ato nuk do t’i motivojnë haptas përkrahësit e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje presidenciale dhe as nuk do t’i bojkotojnë zgjedhjet, pasi druajnë se mund të mbeten jashtë kombinimeve gjatë formimit të qeverisë së re.

Opozita maqedonase është fuqizuar për shkak të disa faktorëve, veçanërisht duke luajtur në kartën nacionaliste. Ajo është kundër kërkesave bullgare. Drejtuesit e saj kërkuan sa më shumë vota nga votuesit maqedonas që të mos kushtëzoheshin nga partitë e tjera, gjegjësisht ato shqiptare.

Në zgjedhjet presidenciale humbësja më e madhe është LSDM-ja. Përjashto VMRO-DPMNE-në, fitues i madh doli të jetë edhe kryetari i Kumanovës.

Dy kandidatët shqiptarë për president shteti, zhvilluan fushatë të qytetëruar. Të shpresojmë se kjo kulturë politike do të vazhdojë edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare. Kundërshtari politik duhet të shihet si oponent dhe assesi si armik i përbetuar.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ra në sy se në vendbanimet me shumicë shqiptare dalja në votime ishte shumë më e ulët sesa në vendbanimet me shumicë maqedonase. Votuesit shqiptarë ose nuk ishin të motivuar për zgjedhjet presidenciale, ose kjo ndodhi sepse shumë shqiptarë kanë mërguar jashtë vendit. Një pasqyrë më reale mund ta kemi pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, që janë shumë më të rëndësishme për partitë shqiptare.

Statistikat zyrtare thonë se në komunat me shumicë maqedonase pjesëmarrja ishte mbi pesëdhjetë përqind e në disa komuna edhe mbi gjashtëdhjetë për qind. Në vendbanimet me shumicë shqiptare dalja në zgjedhje ishte mbi tridhjetë përqind dhe vetëm në disa komuna ishte mbi dyzet përqind, por edhe aty përqindja u rrit shkaku i pjesëmarrjes së votuesve maqedonas. Zakonisht dalja në shkallë më të lartë në votime shkon në favor të opozitës, sepse është votë ndëshkimi.

Në fushatën për zgjedhje parlamentare, që vijon, dy koalicionet shqiptare më shumë sesa te programet partiake, janë fokusuar se kush do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. E dimë se partitë ekzistojnë për të ardhur në pushtet, por jo domosdoshmërish, nëse aty u rezervohet vetëm roli i figurantit politik.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, politikanët shqiptarë duhet të tregojnë mençuri politike dhe të fokusohen te kërkesat esenciale. Vështirësitë do të pasojnë në të ardhmen, kur liderët partiakë do të detyrohen “t’i hanë fjalët” e thëna gjatë fushatave parazgjedhore.

Në historinë politike të RMV-së ka pasur momente të trishtuara, kur politikanët shqiptarë renditeshin para dyerve të partisë fituese maqedonase, duke e përçmuar veten dhe votuesit e tyre. Shenja të veprimit politik, duke u nisur nga pozitat e vasalitetit, shihen edhe tani. Madje krijohet bindja se humbësit do ta pësojnë keq.

Në një sistem të lirë dhe demokratik s’duhet të vlejë thënia “Vae victis”, që përkthehet si “mjerë për të mundurit”. Kuptimi i saj do të thotë se humbësi duhet të jenë nën mëshirën e fituesit.

Shoqërisë demokratike i duhen fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve, sepse ekuilibrimi i forcave politike i mbron vlerat e demokracisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.