RMV, nga nesër do të fillojë me punë Komisioni hetimor për ndodhitë në Onkologji

Për nesër është caktuar seanca e parë e Komisionit hetimor për ndodhinë në ISHP Klinika universitare për radioterapi dhe onkologji, paralajmëroi deputetja nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Rashella Mizrahi, e cila është edhe kryetare e Komisionit, njofton Portalb.

Mizrahi tha se Komisioni do të jetë kompetent për konfirmim të kronologjisë së ngjarjeve dhe rrethanave në ISHP Klinika universitare për radioterapi dhe onkologji, se nëse me skandalin janë rrezikuar të drejtat themelore të njeriut të pacientëve të cilët janë kuruar, si dhe se nëse ka përgjegjësi politike.

“Do të përpilohen konkluzione dhe rekomandime të cilët do të kenë qëllim që ngrisin procedurë për konfirmim të përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike dhe parandalim të keqpërdorimit të mëtejshëm, por edhe përmirësime sistematike të defekteve në këtë klinikë dhe gjithë sistemin shëndetësor”, tha Mizrahi.

Nga sot, siç theksoi Mizrahi, zyrtarisht nga ana e sekretarit të përgjithshëm janë emëruar edhe bashkëpunëtorët dhe nëpunësit nga Kuvendi të cilët do të jenë pjesë e këtij Komisioni hetimor, me ç’rast tërësisht janë përmbushur kushtet për fillim me punë.

Në pyetje të gazetarëve se në qoftë se konfirmohet përgjegjësi politike do të kërkohet edhe lloj tjetër përgjegjësie nga ana e Komisionit hetimor dhe se nëse në të do të jenë të involvuar drejtorë të mëparshëm dhe të tanishëm të Onkologjisë, si dhe funksionarë të tjerë, Mizrahi potencoi se të gjithë institucionet dhe funksionarët relevant do të ftohen në bisedë në qoftë se Komisioni vendos një gjë të tillë.

Anëtarë të Komisionit do të jenë deputetët nga VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni – Antonijo Milloshoski, Gordana Siljanovska-Davkova, Ivanka Vasilevska, Lupço Prenxhov dhe Petar Risteski, nga LSDM-ja dhe Koalicioni – Daniella Markoska, Nenad Kociq, Martin Kostovski dhe Marija Georgievska, nga BDI-ja – Arben Ziberi dhe Bedri Fazli dhe Remzi Mehmedi nga leanca për Shqiptarët.

Për zëvendës të tyre janë zgjedhur Dajanço Eftimov, Dafina Stojanoska, Dragan Kovaçki, Toni Jarevski, Zoran Kocevski nga VMRO-DPMNE-ja, Mile Talevski, Maja Moraçanin, Beti Rabaxhievska Naumovska dhe Sonja Mirakovska nga LSDM-ja dhe Koalicioni, Bajram Kadrija dhe Berat Ajdari nga BDI-ja dhe Artina Qazimi nga Aleanca për Shqiptarët.

Vendimi për formimin e këtij trupi u miratua me propozim të VMRO – DPMNE-së, pasi mediat publikuan keqpërdorimin e barnave në Onkologji.

Kujtojmë se, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.