Një fillimi i ri

Shkollat janë në prag të një vitit të ri shkollor. Sërish një mundësi e re për ta filluar mbarë një proces kaq të rëndësishëm si që është edukimi i gjeneratave të reja. Nxënësit do të kalojnë një pjesë të mirë të ditëve të tyre në bankat e shkollës, në klasa që në të shumtën e rasteve janë relikte nga dekadat e kaluara, pa shenja nga zhvillimi i hovshëm teknologjik të cilin fëmijët e shohin çdo ditë në ekranet e tyre të vogla, para të cilave qëndrojnë ngjitur për orë të tëra. Në një situatë të tillë, sfida kryesore është si të fitohet dhe të mbahet vëmendja e fëmijëve për të mësuar gjërat e rëndësishme dhe çfarë metodologjie duhet të përdoret për këtë.

Është e dhimbshme të shihet që shkollat tona nuk arrijnë të ngjallin interesin e duhur tek fëmijët. Kjo është më se e kuptueshme, sepse metodologjia e shkollave ka mbetur tmerrësisht pas, ndërsa në ndërkohë ka ndodhur zhvillim i pabesueshëm teknologjik, të cilin fëmijët e kanë adaptuar tërësisht në jetën e tyre. Teknologjia ka arritur të ngjallë interes të madh te fëmijët dhe zhvillimi i përmbajtjes audioviuzuele ka arritur ta ndryshojë tërësisht vëmendjen e tyre, deri në atë shkallë sa që asgjë tjetër nuk u duket më interesante. Në këtë proces, përcjellja e njohurive të dobishme që janë pjesë e planprogrameve shkollore është vështirësuar tej mase, sepse fëmijëve nuk ju duket asgjë interesante, nuk arrijnë dot ta mbajnë vëmendjen e tyre tek shpjegimet e gjata dhe të thata të mësuesve, dhe si rezultat, nuk tregojnë interes për gjërat që metëvërtetë janë me rëndësi për ta. Mësimdhënësit duhet ta kuptojnë këtë gjendje të re të krijuar tek gjeneratat e tashme të cilat kanë qasje te të gjitha informacionet e rëndësishme përmes internetit. Tani ata mund të dinë shumë më tepër se çfarë kemi ditur ne në moshën e tyre kur nuk kemi pasur internet. Prandaj, në vend që ta luftojmë pa sukses këtë realitet të ri, duhet të mësojmë të veprojmë në atë realitet, duke e shfrytëzuar teknologjinë aty ku duhet dhe duke e kanalizuar interesin e nxënësve aty ku ata duhet të përfitojnë.

 

Në internet ka resurse të mjaftueshme për të spjeguar e për të sqaruar secilën temë, në secilën lëmi. Këto resurse thjesht duhet të shfrytëzohen. Ka video të shkurta e të gjata TED mbi edukimin, të përgatitura me shumë kujdes nga ekspertë që e njohin shumë mirë përmbajtjen audiovizuale. Tani me shumë pak mund, mund të përdoren metoda të reja që do të arrijnë ta mbajnë vëmendjen e nxënësit dhe do t’i arrijnë qëllimet pedagogjike të sistemit arsimor. Vetëm duhet që shkollat dhe mësimdhënësit të dalin nga pak nga zona e komforit dhe të aplikojnë metoda të reja, të bëjnë diçka ndryshe, diçka që fëmijëve do tu mbetet në mendje. Nuk ka gjë që më së miri u mbetet në mendje fëmijëve se sa eksperienca. Ata duhet t’i mësojnë gjërat duke i bërë, duke eksperimentuar, duke i provuar vetë në praktikë, e jo duke mësuar përmendësh definicione që do t’i harrojnë sapo të dalin nga klasa.

Është koha që sistemi jonë arsimor të dalë nga skolasticizmi mesjetar dhe t’u japë hapësirë fëmijëve që të mësojnë duke vepruar, dhe mbi të gjitha, të krijojnë mendim vetanak dhe kritik mbi botën që i rrethon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.