Dita pas rundit të parë të zgjedhjeve

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut janë gjithmonë interesante dhe me plot befasi. Shpesh herë ndodh që ata që janë të bindur se do të kalojnë shkëlqyeshëm, nuk arrijnë t’i realizojnë pritshmëritë e tyre. Poashtu, shpesh herë ndodh që brenda natës harta e shtetit të ndryshojë ngjyrë, nga portokallia në blu, ose anasjelltas.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, u bë ndryshimi i madh në vend ku VMRO-DPMNE fitonte gjithmonë në të gjitha ciklet zgjedhore. Atëherë harta e shtetit në portalin e KQZ për herë të parë pas një dekade ndryshoi ngjyrë, që më vonë në zgjedhjet lokale e më pas edhe në ato presidenciale të bëhet gati tërësisht blu, në kohën kur social-demokratët ishin në kulmin e suksesit. Më pas, gjërat ndryshuan, dhe që nga zgjedhjet lokale të vitit 2021, harta e shteti u bë sërish portokalli, për të kulminuar në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt dje, ku fitore të bindshme pati VMRO-DPMNE dhe kandidatja Gordana Siljanovska Davkova. Po të shohim hartën, do të vërejmë që një pjesë e mirë e dinamikës së ngjyrave si gjithmonë zhvillohet në pjesën perëndimore të shtetit, ku vazhdon të ketë laramani, në krahasim me pjesën tjetër që zakonisht është njëngjyrëshe, ose blu, ose portokalli.

Cilat janë disa nga përshtypjet e para nga ky rund zgjedhor?

Përshtypja e parë dhe më e rëndësishme është se temat etnike vazhdojnë të mbeten trendi kryesor mobilizues në ciklet zgjedhore. Realiteti i disa viteve të kaluara kur temat e kohezionit ndëretnik dhe rruga e përbashkët drejt integrimit në NATO dhe BE ishin trendi udhëheqës u tregua si i paqëndrueshëm në aspekt afatgjatë. Sërish retorika nacionaliste që VMRO-DPMNE e përdori duke thirrur qytetarët të votojnë për ta me qëllim që ta kthejnë Maqedoninë te “pronarët e vërtetë” dha rezultatin e pritur. Fatkeqësisht, për një pjesë të madhe të etnitetit maqedonas, fakti që etniteti shqiptar u faktorizua dhe zuri vendin e merituar në udhëheqësinë e shtetit, u përjetua si një disfatë. Fatkeqësisht retorika e supremacisë së njërit etnitet ndaj të tjerëve është më se e mjaftueshme për të mobilizuar numra të mëdhenj votuesish për t’ua treguar “të tjerëve” se ku e kanë vendin, dhe për “t’ia kthyer krenarinë” atyre krenaria e të cilëve ishte humbur sepse kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i punëve të jashtme e Ministri i financave ishin shqiptarë. Fatkeqësisht kjo për shumë maqedonas etnik u përjetua si shembje dhe nëpërkëmbje e interesit të tyre kombëtar. Dhe në këtë rast, çmimin më të lartë e pagoi LSDM dhe kandidati i tyre Stevo Pendarovski si bartës të politikave të kohezionit ndëretnik gjatë viteve të kaluara.

Por narativi etno-centrik dhe supremacist nuk është problemi i vetëm në këtë mes. Humbjen e LSDM-së e determinoi dezorganizimi i saj brenda-partiak dhe përçarjet e shumta brenda llojit që çuan deri te ndarja e partisë dhe krijimi i partisë së re të Maksim Dimitirevskit që arriti të mbledhë numër të konsiderueshëm të votave në këtë cikël zgjedhor. Kjo na tregon edhe një herë se politikat gjithëpërfshirëse të kohezionit ndëretnik nuk kanë pasur përkrahjen e duhur as brenda LSDM-së ku grupacione të ndryshme nuk i kanë ndarë të njëjtat bindje për barazinë ndëretnike që udhëheqësit e LSDM-së gjatë viteve të kaluara i kanë pasur. Fatkeqësisht, koncepti i një shoqërie për të gjithë nuk e ka pasur përkrahjen e duhur as brenda të gjitha qarqeve në LSDM, sepse po ta kishte, ky koncept, ku mbështetej edhe programi politik i Pendarovskit, do të merrte përkrahje shumë më të madhe se ajo e mbrëmshmja.

Problemi tjetër që e determinoi humbjen e LSDM ishte përpjekja e pamjaftueshme për vendosje të drejtësisë. LSDM erdhi në pushtet me parullën “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, por ajo që ndodhi gjatë viteve të kaluara ishte amnistia e hapur dhe e heshtur e të gjithë të involvuarve në krime që zhgënjeriu një pjesë të mirë të qytetarëve të cilët ndoshta vendosën të mos dalin në votime dhe të bojkotojnë heshturazi duke besuar që vota e tyre megjithatë nuk do ta bëjë ndryshimin e duhur.

Në pjesën perëndimore të shtetit situata ishte shumë dinamike me krijimin e dy taboreve kryesore, për herë të parë në historinë më të re të veprimtarisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Fronti Evropian korri fitore me epërsi të madhe të kandidatit të tyre presidencial, përkundër pritshmërive të koalicionit VLEN që dukej i bindur se do të korrë fitore spektakolare në këto zgjedhje. Në këtë drejtim më bënë përshtypje dy gjëra.

E para, pasi u shpallën rezultatet, kryesuesi i koalicionit VLEN tha që vota për ta paska qenë votë e pastër shqiptare, duke aluduar në atë që në koalicionin Fronti Evropian bëjnë pjesë edhe parti dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera që jetojnë në këtë shtet. Kjo deklaratë ishte një deja vu e deklaratës së përfaqësuesve të VMRO-DPMNEsë të cilët në të gjitha ciklet e mëparshme zgjedhore argumentonin që ata i kanë votat e maqedonasve etnikë, dhe këtë e paraqisnin si diçka më të vlefshme se sa votat e shqiptarëve dhe komuniteteve tjera që shkonin në taborin e LSDM-së në ato kohë. Këto janë deklarata famëkeqe të cilat aludojnë se votat e disa qytetarëve vlejnë më shumë se votat e të tjerëve. Të dëgjosh deklaratë të tillë nga kryetarë komunash që janë zgjedhur në postet e tyre pikërisht me votat e komuniteteve të ndryshme është vërtet shumë zhgënjyese për të mos thënë irrituese. Demokracia funksionon në bazë të parimit “një qytetar, një votë” dhe fakti që dikush mund të mobilizojë komunitete të ndryshme të votojnë për një ide të përbashkët duhet parë si përparësi dhe jo si mangësi. Me këtë deklaratë të pamatur opozita shqiptare u reshtua në anën e atyre të cilët bëjnë dallime ndëretnike dhe kanë mendime supremaciste ndaj etniteteve të tjera. Një narrativ i tillë është i pritshëm nga VMRO-DPMNE, por të them të drejtën nuk e prisja nga një koalicion shqiptar që shumë mirë i njeh pasojat e diskriminit dhe supremacisë etnocentriste.

E dyta, Hristijan Mickovski në fjalimin e tij triumfalist mbrëmë tha që e ka uruar kandidatin e koalicionit VLEN dhe i ka dëshiruar sukses në zgjedhjet parlamentare. Gjithashtu kërkoi bashkim mbarëpopullor që të pamundësohet fitorja e BDI-së në këto zgjedhje. Sërish një deklaratë deja vu që përkujton kohën kur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev e koncentroi gjithë fushatën e tij në luftë kundër BDI-së. Kush sa vota do të marrë te partitë politike shqiptare nuk e përcakton as Mickovski, as Zaev e as ndonjë politikan tjetër, por e përcaktojnë vetë qytetarët shqiptarë dhe komunitetet tjera në këtë vend. Prandaj politikanët bëjnë mirë t’i shohin fushatat e veta dhe premtimet e veta dhe të mendohen se si do t’i realizojnë e jo të merren me humbjet apo fitoret e partive e koalicioneve të tjera.

Me fitoren e madhe të VMRO-DPMNE-së e cila pritet të konfirmohet edhe në zgjedhjet parlamentare pas dy javësh mbetet të shihet hapërimi i mëtejshëm i shtetit në rrugën e integrimit evropian. LSDM gjatë viteve të kaluara bëri shumë zgjidhje të rënda por të rëndësishme shtetformuese, zgjodhi çështjen e emrit dhe përmes Marrëveshjes së Prespës mundësoi anëtarësimin e vendit në NATO dhe rikthimin në rrugën e integrimit në BE. Për këtë, dhe për shumë gjëra tjera pagoi çmimin e lartë në këto zgjedhje. Në qeverinë që vjen është i domosdoshëm një faktor stabil shqiptar që nuk do të ketë dilema rreth rrugës së integrimit në BE që varet nga ndryshimet kushtetuese. Të gjitha shpresat për të ruajtur drejtimin drejt BE-së tani varen nga shqiptarët dhe komunitetet tjera që duhet të jenë të palëkundur në interesin tonë jetik të integrimeve evropiane.