KShPK: Kërkuam informacion nga BDI për donacionet e “Eurovias”

Hapja e një rasti kërkon hapa të caktuar gjatë veprimit. Për momentin nuk mund të japim asnjë informacion tjetër përveç se si në të gjitha rastet e deritanishme, do të ndërmarrim hapat e duhur, deklaruan nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në lidhje me kërkesën e Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, që KShPK-ja të hetojë tenderin prej 1.8 milionë euro të pranuar nga kompania “Eurovia” nga Zhelina për rindërtimin dhe rregullimin e sallës “Boris Trajkovski” për konferencën e OSBE-së në dhjetor, transmeton Portalb.mk.

Nga KShPK-ja bënë me dije se nuk do ta komentojnë deklaratën e ministrit Osmani, se nuk e dinte që “Eurovia” ishte donatore e BDI-së dhe kërkuan që edhe institucionet tjera të deklarohen për këtë çështje.

Në pyetjen se a do të kërkojnë informata nga BDI dhe kompania se pse e kanë shkelur ligjin përmes donacioneve, nga KShPK-ja u përgjigjën se informacionet tashmë janë kërkuar.

“Janë kërkuar informacione, për plotësimin e informatave të tjera që kemi pasur më herët nga ana e tyre, rasti është drejt fundit dhe kur të jemi konkret do të marrim vendim në seancën e ardhshme”, theksuan nga atje.

Sipas KShPK-së, vullneti për të luftuar korrupsionin në vendin tonë është vetëm në KShPK.

“Tashmë është koha që të mos pyesim KShPK-në se çfarë ndodh me nismat tona. Ne nuk kemi autoritet të vlerësojmë punën e të tjerëve, sepse nëse i lejojmë vetes ta vlerësojmë punën dhe themi se nuk është vepruar me iniciativën tonë, kjo tashmë është presion dhe ndikim”, tha anëtari Nuri Bajrami, i cili shtoi se çështjet duhet të kanalizohen përmes mediave dhe publikut tek institucionet e përmendura.

Kompania “Eurovia” nga Zhelina e Tetovës është zgjedhur fituese në këtë tender ku kanë aplikuar katër kompani. Drejtori Ekzekutiv i kësaj kompanie është Elmedin Ademi – i afërm i ish-ministrit nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi.  Eurovia, sipas raportimeve të mediave, është edhe donatore e BDI-së.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në opinon.

Ministria e Punëve të Jashtme, në krye me Bujar Osmanin nga BDI, përmes një komunikate tha se kompania e përzgjedhur ka ofruar çmimin më i ulët nga të gjithë ata që aplikuan, dhe se procedura është bërë në përputhje me dispozitat ligjore.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “Eurovias” përmes një reagimi publik tha se nuk ka asgjë të kundërligjshme në procedurën e tenderit. Ndërkaq hodhi poshtë donacionin ndaj BDI-së.

Ky rast ka nxitur edhe reagim të partive opozitare si Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE-ja të cilat kanë akuzuar për korrupsion BDI-në.