Mësimdhënësit do të duhet të qëndrojnë në punë gjashtë orë: këto janë risitë që do vlejnë nga 1 shtatori

Të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë në shkollë qëndrojnë nga pesë orë në ditë (përjashtim bëjnë ata nxënës që qëndrojnë më shumë orë për shkak të qëndrimit të zgjatur). Nxënësit e klasës së gjashtë qëndrojnë në shkollë 6 orë në ditë, ndërsa qëndrimi i detyrueshëm i mësimdhënësve që japin mësim nga klasa e parë deri në të gjashtën është 6 orë, pavarësisht nëse janë mësimdhënës të grupit klasor apo ligjërojnë ndonjë lëndë, transmeton Portalb.mk.

Kështu thuhet në dokumentin në të cilin janë shënuar udhëzimet e reja për shkollat të cilat i publikuan përgjegjësit në Byronë për Zhvillimin e Arsimit (BZhA), e që do duhet të aplikohen nga nesër, 1 shtator. Këto risi prezantohen për herë të parë në sistemin arsimor, sipas Konceptit të ri për arsimin fillor që u miratua dy vite më parë. Për këtë pati reagime të fuqishme në opinion, ndërsa pasi filloi të aplikohej, u konstatua se fëmijët mendojnë në mënyrë më kritike, por edhe se ka mungesë të pajisjeve nëpër shkolla.

“Pjesën më të madhe të kohës nxënësit e kalojnë në mësim të rregullt në lëndët obligative dhe ato zgjedhore (ato nga klasa e parë deri në të pestën mesatarisht deri në 3,5 orë në ditë dhe ata të klasës së 6-të, mesatarisht deri në 4,5 orë në ditë). Pjesa tjetër e kohës është e destinuar për pushime ndërmjet orëve, ndërsa një pjesë është e destinuar për aktivitete që strukturohen dhe organizohen nga mësimdhënësi ose shkolla në formën e një ore mësimore, aktiviteteve jashtëshkollore, siç është kori, orkestri, klubi i sportit, përgatitja e një shfaqjeje teatrore, aksione humanitare dhe ekologjike”, thuhet në dokument.

Për sa i përket asaj se si do të duket një orë mësimore në lëndët e integruara, në këto udhëzime thuhet:

“Përmbajtjet nga shkencat natyrore (biologjia, kimia, fizika dhe një pjesë e gjeografisë), nga historia dhe shkencat e tjera shoqërore e humaniste, si dhe nga arsimi teknik dhe informatika, mësohen të integruara në një lëndë të përbashkët (shkencat natyrore, historia dhe shoqëria dhe arsimi teknik dhe informatika)”.

Mësimdhënësit e lëndës së historisë, gjeografisë, edukatës qytetare, edukatës teknike dhe informatikës konsiderohen mësimdhënës potencial për realizimin e lëndëve të reja mësimore Historia dhe shoqëria dhe Edukimi Teknik dhe Informatika në klasën e 6-të, shkruan në udhëzimet për shkollat.

Si do të vlerësohen nxënësi në lëndët e integruara? 

Duke pasur parasysh mënyrën e re të organizimit dhe realizimit të lëndëve të integruara, në një periudhë kohore mësimdhënësit mund të kenë më shumë se 20 orë mësimore, ndërsa në një periudhë tjetër më pak se 20 orë mësimore në javë.

“Megjithatë, këta mësimdhënës do të kenë një fond mesatar të mjaftueshëm të orëve në nivel vjetor dhe do t’u përllogaritet paga e plotë mujore gjatë gjithë vitit shkollor, pavarësisht nga mënyra se si është organizuar dhe si realizohet mësimi në periudha të caktuara gjatë vitit shkollor”, shkruan në këtë dokument.

Sipas planprogramit mësimor të historisë dhe shoqërisë për klasën e gjashtë, mësimi i kësaj lënde në vitin akademik 2023/24 do të realizohet me 3 orë në javë, gjegjësisht 108 orë në vit, prej të cilave 62 orë i takojnë modulit të historisë, 10 orë në modulit të edukimit qytetar dhe 36 orë modulit të gjeografisë.

“Me qenë se mësimi i lëndës së historisë dhe shoqërisë kryhet nga dy-tre mësimdhënës, secili mësimdhënës nxjerr një notë të veçantë për modulin që e realizon. Në fund të vitit shkollor, në dëftesë shënohen notat përmbledhëse të veçanta nga historia, gjeografia dhe edukimi qytetar”, thuhet në udhëzim.

Mësimdhënësi nuk ka nevojë të ligjërojë leksione nga libri

Procesi mësimor në të gjitha lëndët nuk bazohet në tekstet shkollore, por në planprogramin mësimor – mësimdhënësi gjatë orës mësimore nuk realizon një leksion nga libri, por aktivitete që çojnë në arritjen e standardeve të vlerësimit nga planprogrami mësimor, thuhet në dokument.

“Tekstet shkollore mund të përdoren në klasa vetëm nëse përmbajnë ushtrime apo aktivitete të tjera që janë të destinuara për punë në klasë, siç është rasti me tekstet nga klasa e parë deri në të tretën. Si zëvendësim për tekstet shkollore mund të përdoren materialet mësimore të përgatitura nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit. Në rastet kur tekstet shkollore nuk sigurohen në kohë (tërhiqen nga përdorimi për shkak të cilësisë së dobët, nuk ka përfunduar procedura për miratimin e tyre, ose nuk ka autorë të interesuar), për ta lehtësuar procesin mësimor të nxënësve, BZhA përgatit materiale mësimore. Për ato lëndë për të cilat janë paraparë tekste shkollore, Byroja përgatit manuale”, thuhet në risitë e publikuara.

Detyrat e shtëpisë në platforma digjitale

Detyrat e shtëpisë për nxënësit nga klasa e katër deri në klasën e gjashtë mund të planifikohen dhe caktohen në cilëndo nga platformat digjitale, thuhet në udhëzime. Detyra duhet ta vendosë nxënësin në situata problemore që çojnë në thellimin e të nxënit (kërkojnë nga ai që të mendojë dhe të shprehë zgjidhje të mbështetur me prova).

“Ato detyra duhet të mundësojnë integrimin e njohurive nga disa lëndë dhe zbatimin e tyre në zgjidhjen e problemeve nga situatat e përditshme, të ndërtohen mbi interesat e nxënësve në sfera të caktuara të jetës së përditshme, të nxisin leximin me kuptimin e teksteve nga librat, artikujt gazetareskë, informacionet nga blogjet dhe faqet e verifikuara, si dhe materialeve të tjera nga mjedisi”, thuhet në dokument.

Të gjitha këto risi u prezantuan si rezultat i Konceptit të ri për arsimin fillor, i cili u prezantua si një reformë e madhe arsimore në vitin 2020, me iniciativën dhe në kohën kur ministre e arsimit dhe shkencës ishte Milla Carovska. Vitin e kaluar, pikërisht një vit pas zbatimit të Konceptit, përgjegjësit e Byrosë konstatuan se nxënësit mendojnë në mënyrë më kritike se më parë, por në shkolla mungojnë pajisjet për realizimin adekuat të aktiviteteve të parapara në planprogramet e reja mësimore.

“Te klasat e para dhe të katërta ende ka klasa që nuk janë mjaftueshëm të pajisura me pajisjet, mjetet dhe materialet e nevojshme për zbatimin e duhur të planprogrameve të reja sipas Konceptit të ri për arsimin fillor. Nga ana tjetër, detyrat që i japin mësimdhënësit për nxënësit zakonisht janë sfidë, të cilat e nxisin mendimin kritik dhe analizimin e situatave të dhëna”, kanë konstatuar këshilltarët e Byrosë vitin e kaluar.