HEPITALIZMI

Periudha e modernitetit është “histori” e egoizmit, hedonizmit, e ekstremeve pasuri-varfëri, e konfliktit, e racizmit, gjenocidit, terrorizmit, krizës klimaterike, e imigrimit, e trafikimit të qenieve njerëzore, e problemeve të shumta lokale e globale. Ne sot jetojmë me perceptimin për mungesë duke pasur shumë, të sfiduar nga ndryshimet marramendëse, në stres, nën ngarkesë psikologjike, me shumë elemente të shqetësimit, trazimit dhe palumturisë që na kanë pllakosur si lloj. Kemi arritur në një pikë vlimi – kemi hyrë në një epokë të bollëkut me të gjitha teknologjitë, burimet dhe mundësitë për të maksimizuar potencialin njerëzor, por megjithatë bota po vuan më shumë kokëçarje se kurrë. Gjetjet nga kërkimet flasin se 80 % e punëtorëve anekënd botës janë të palumtur, se një pjesë e mirë e njerëzve janë të pushtuar nga ndjenja e zbrazëtisë (sense of emptiness), se s’ia dalin ta gjejnë as kuptimin (meaning) e as qëllimin (purpoose) e jetës. Një problem tjetër është edhe vetmia, që ka shkaktuar formimin e kalkut “pandemia e vetmisë”. Një në çdo katër amerikanë ndjehet i vetmuar. Pra njeriu i sodit është i ndarë nga vetja, komuniteti dhe natyra dhe ka nevojë të realizojë një rilidhje apo pajtesë me këto tre komponente: vetëveten, njerëzit me të cilët jeton dhe mjedisin natyror që e rrethon. (Gallardo, 2021)

Në këtë epokë të anktheve kur dëshirat e pafundme nuk po realizohen, njeriu ka nevojë për më tepër zhvillim brendësor e për më pak rritje materiale, për lumturi, për prehje, rehati në vend të kënaqjes së pasioneve. Një paradigmë e re e përparimit në periudhën pas Koronavirusit që synon një botë njericentrike është hepitalizmi (happytalism), që duket si antinom dhe antipod i kapitalizmit.  Është një skemë si Bota e re e guximshme e Aldous Huxley-t ku flitet për maksimizimin e lumturirë shoqërore dhe për lasting hapinness (lumturinë e përhershme).

Hepitalizmi, është paradigmë në shfaqje mes utopive dhe distopive, një pikëpamje e re e progresit njerëzor në kohën e traumave dhe dramave. (Gallardo, 2023) Është një sistem ekonomik dhe filozofi socio-politike që e vë lumturinë dhe mirëqenien në qendër të zhvillimit ekonomik. Ëshë një mënyrë jetesë më e kënaqshme, më tolerante, më e butë dhe më e lumtur.

Koncepti i hepitalizmit është krijuar, përpunuar dhe lançuar në vitin 2006 nga Jayme Illien dhe Luis Gallardo – kryetar i Fondacionit Botëror të Lumturisë – si një zhvillim i ri ekonomik dhe njerëzor në filozofi, si pjesë e fushatës gjashtëvjeçare që përfshin edhe krijimin e Ditës Ndërkombëtare të Lumturisë të OKB-së dhe Takimin e Lartë “Mbi lumturinë dhe mirëqenien: Përkufizimi i një paradigme të re ekonomike”, të mbajtur në Nju Jork. Më tepër se në të ardhurat, hepitalizmi është frymë socio-politike dhe platformë e ngritjes kulturore që ngulmon në ndryshimin e sistemit ekonomik dhe qeverisës kapitalist aktual, është një paradigmë prohumane, që synon lumturinë e njeriut gjithandej e jo vetëm të qarqeve apo stratumeve të caktuara.

Aziz Akgül, autor i librit Hepitalizmi, sugjeron këtë sistem të ri duke shpjeguar se njerëzimi s’mund të gjejë lumturinë në socializëm, se duhet ta braktisë edhe kapitalizmin e të kalojë në hepitalizëm, i cili në fokus e ka lumturinë; dhe këtë nuk e mendon vetëm në rrafshin individual, por edhe në atë kolektiv dhe global. Sipas tij “në botë gjatë vitit prodhojmë diku rreth 4 miliardë tonelata ushqim, dhe 1.3 miliardë tonelata i hedhim. Ndërkohë globalisht mbeten të uritur 840 milionë njerëz, të cilët kanë nevojë vetëm për 1/3-tën e 1.3 miliardë tonelatave të bukës që ne i shpërdorojmë. Dhe ky sistem s’mund ta zgjidhë këtë çështje. Ti, unë, të gjithë ne a mund të jemi të lumtur përderisa dikush është i uritur?” Çdo vit në botë shitet armatim me kosto prej më shumë se 2 trilionë dollarësh. Mbi 500 miliardë dollarë treten vetëm për reklamë dhe marketing!

Në hepitalizëm sistemi politik bazohet në demokracinë elektronike; është kjo një demokraci pa parti, që bazohet në një teknologji të block chain-it, që s’ka nevojë për ndërmjetës ideologjikë: qytetarët mund të mblidhen në një mjedis digjital dhe të propozojnë një ligj. Në kontekstin hepitalist, marrëdhëniet ndërkombëtare ngriten mbi paltformën win-win. (Klass, 2021)

Akgül fton tetë miliardë njerëz që të përvetësojnë hepitalizmin si një botëkuptim që në plan të parë apo moto e ka lumturimin e njeriut. Një nga elementet kyçe të hepitalizmit, si mënyrë jetese dhe qeniesimi, rrugë përmes të cilës individët, shoqëritë  dhe mjedisi mund të lulëzojnë, është minimalizmi, pra mjaftimi me pak apo me shumë më pak. Nga perspektiva e biznesit hepitalizmi ka dy komponente kyçe: konsumatorët dhe punonjësit e lumtur. (Hassan, 2022) Sipas Anne Dominik Lessiak (2021) me hepitalizmin ju nuk do të zotëroni asgjë por do të jeni të lumtur; është një regjim në të cilin njerëzit jetojnë në një mjedis të pastër dhe të qëndrueshëm, një botë në të cilën privimi nga prona private shpie në lumturi.

Hepitalisti është person që mundohet të jetësojë lumturinë, lirinë, bashkimin në dallime, miqësinë, dashurinë, përkorjen, ambientalizmin, vlerat shpirtërore, drejtësinë, familjen, mëshirën, mirësinë, tolerancën… (Christopher, 2022) Nga viti 2019 Zelanda e Re buxhetin e vet e organizon në formën e re: buxheti i lumturisë, kurse Butani ka Ministrinë e Lumturisë.

Si përfundim mund të thuhet se hepitalizmi e transfomon jetën (CNN, 2024). Ai është mendësi që fokusohet te bollëku e jo te mungesa, që afirmon shpirtëroren, tejmaterialen. Maksima e ithatarëve të këtij modus vivendi është “Jo socializmit, jo kapitalizmit, po hepitalizmit”. Koncepti i hepitalizmit sugjeron se zhvillimi ekonomik vetvetiu nuk garanton lumturinë dhe mirëqenien në mikro dhe makro plan; ai thekson nevojën për një qasje holistike që merr parasysh faktorët socialë, mjedisorë dhe psikologjikë që e ndryshojnë vetë-perceptimin e njeriut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.