Në Kuvendin e RMV-së arriti propozim-ligji për përfaqësim të drejtë, por akoma nuk është publik

 

Deputetja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Rina Ajdari, ka njoftuar se në Kuvend ka arritur propozim-teksti i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Përmes këtij ligji planifikohet zëvendësimi i mekanizmit të balancuesit, transmeton Portalb.mk.

Rina Ajdari nga Bashkimi Demokratik për Integrim, këtë propozim-ligj e vlerësoi si skandaloz, duke paralajmëruar vërejtje gjatë kalimit të procedurës parlamentare.

“Arriti në Kuvend materiali për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ishte skandaloz. Do të hyjë në procedurë parlamentare, do të hyjë nëpër komisione dhe sigurisht se aty do t’i trajtojmë të gjitha”, tha deputetja Ajdari.

Teksti i këtij propozim-ligji akoma nuk është publikuar në internet, përkundër interesimit të madh të opinionit publik për këtë propozim.

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat një kohë të gjatë nuk është dorëzuar për shqyrtim para deputetëve. Nuk ishte e qartë përse zvarritet procedura pasi ligji për përfaqësim, në Qeveri u miratua më 7 prill.

Pushteti nuk tregon nëse ka siguruar badenterin në kuvend pasi ky ligj duhet të miratohet me shumicë të dyfishtë. Opozita shqiptare nuk jep sinjale se do ta mbështesë ligjin. Nga BDI së fundmi paralajmëruan edhe amendamente pasi vlerësojnë se ligji nuk është i plotë derisa nuk ka sanksione për ata që nuk respektojnë ligjin dhe se mungon deklarimi i përkatësisë etnike gjatë punësimeve.

Propozim-Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pretendon rregullimin e përfaqësimit të bashkësive etnike në administratë. Respektimin e përfaqësimit do ta ndjekë Trupi koordinues në kuadër të Qeverisë. Ligji nuk parashikon sanksione për shkelësit e dispozitave, por masa politike të cilat duhet të precizohen përmes akteve nënligjore 6 muaj pas miratimit.

Në vendin tonë gati dy vite nuk kemi zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.