Ligji i ri për përfaqësim të drejtë në RMV synon meritokracinë, lë “hapur” dritaren për diskriminim
Përkundër faktit që Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e miratoi propozim Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ligj që ende nuk zbulohet në publikun e gjërë, sipas deklaratave të zyrtarëve në vend, ai prioritet do ta ketë cilësinë brenda institucioneve shtetërore dhe në rend të dytë e ka përfaqësimin e barabartë të të gjithë etnive brenda institucioneve shtetërore. Ligji i tillë për meritokracinë jo që nuk i nevojitet shtetit tonë, megjithatë kështu siç është, nuk do të zgjidh problemin e përfaqësimit të barabartë në institucionet shtetërore dhe nuk do ta zëvendësojë siç duhet mekanizmin e “Balancuesit”. Sipas opozitës shqiptare e cila nuk do ta votojë të njejtin, nëse kësaj ia shtojmë edhe mungesën e mekanizmave ndëshkues ndaj institucioneve, atëherë ky ligj do të jetë vetëm një fasadë që do të mbulojë problemin real, shkruan Portalb.mk.
Koalicioni shqiptar në pushtet, VLEN, pas miratimit të propozim ligjit në Qeveri u deklarua se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është dhuratë, por e drejtë kushtetuese e garantuar që nga viti 2001.
“Edhe pse ligji për këtë çështje është dashur të miratohet që në vitin 2003, ai për vite me radhë është lënë pezull nga ata që e kanë përdorur këtë të drejtë vetëm për propagandë, mbushje xhepash dhe pa guximin për ta zgjidhur.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 9 tetorit 2024, me të cilin ra vegla e Balancuesit, u bë e qartë se kjo çështje nuk mund të mbahej më me arnime dhe zgjidhje gjysmake. Duhej ligj. Dhe sot, më në fund, falë VLEN-it kemi ligj.
“Ky ligj vendos rregull aty ku për vite ka sunduar paqartësia, krijon mekanizma për zbatim dhe parasheh trup koordinativ në krye me një zëvendëskryeministër shqiptar, si garanci se e drejta e shqiptarëve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk do të anashkalohet më. Fakti që ligji është përpunuar edhe pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias e bën edhe më të fortë këtë zgjidhje. Tani radha është e Kuvendit. Ky është momenti kur secili duhet të tregojë nëse është në anën e historisë. Nuk ka më vend për patriotizëm të rrejshëm”, thonë nga VLEN-i.
Pavarësisht deklaratave të VLEN-it, për ta paraqitur ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, si ligj i cili do të zgjidh problemin e punësimit dhe përfaqësimit të barabartë në institucione, dhe do ta zëvendësojë Balancerin, kryeministri Hristian Mickoski, thotë se fokusi i ligjit do të jetë meritokracia.
“Me ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, përfundimisht do të tejkalohen të gjitha stereotipat e të kaluarës, të gjitha elementet antikushtetuese dhe gjithçka që ka paraqitur pengesë në të kaluarën, përfundimisht ofrohet zgjidhje që do t’i zgjidh këto”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër, ndër kritikat kryesore nga opozita shqiptare rreth ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është se ligji nuk parasheh mekanizma ndëshkues për institucionet që nuk respektojnë ligjin në fjalë. Prandaj, sipas tyre, ligji është regresiv dhe rrezikon humbjen e arritjeve të deritanishme në avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Kryetarja e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Ajdari, për Portalb.mk, ka deklaruar se propozim Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ende nuk ka mbërritur në Kuvend por nga ajo që kemi parë, mund të konstatojmë se ky ligj nuk parasheh garanci apo mekanizma për zbatimin e tij në praktikë.
Siç tha Ajdari, kjo çështje pritet të rregullohet nga një Trup Koordinues në Qeveri i cili vetëm do të ndjekë përfaqësimin e drejtë në institucionet e sektorit publik por i njëjti nuk do të ketë të drejtë të kontrollojë zbatimin e këtij ligji në praktikë.
“Nga ana tjetër, me këtë ligj nuk parashihen kuota etnike që nënkupton se përmes kinse respektimit të profesionalizmit dhe kompetencës, në konkurset publike për punësime, të mos pranohen pjesëtarë të bashkësive etnike më pak të përfaqësuara. Po ashtu në propozim ligjin në fjalë, nuk ka mekanizma sanksionues për institucionet apo zyrtarët të cilët do të refuzojnë që të njejtin ta zbatojnë. Në formën të cilën deri më tani i është paraqitur opinionit të gjerë, ky propozim ligj është antikushtetues, nuk paraqet reformë por regres të thellë si dhe në asnjë mënyrë nuk do të mund t’a përmirësojë apo ta rregullojë atë që ka ndodhur nëpër institucionet e vendit, pas shfuqizimit të Balancuesit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, kështu siç po paraqitet propozim ligji, me gjithë këto mangësi serioze juridike, Grupi ynë parlamentar, nuk do të japë mbështetje”, tha në fund deputetja Rina Ajdari.
Më tej, kujtojmë se profesori universitar, Mersin Maksuti, i cili ishte pjesë e hartimit të ligjit, është tërhequr nga trupi punues i propozim-ligjit, duke listuar dosa arsyeje. Vërejtja e tij bazë ishte se ky, propozim-ligj, me gjithë mangësitë që ka, nuk ofron garanci për zbatimin e tij efektiv në praktikë, ngase kjo çështje është lënë vetëm në vullnetin politik të një Trupi Koordinativ pranë Qeverisë.
Pas miratimit në Qeveri më 7 prill 2026, ligji do të procedohet në Kuvend, ku pritet debat parlamentar.
Në vendin tonë gati dy vite nuk kemi zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë ende pa afat, Kasami nuk e di se se kur do të miratohet
- LEXO: Elfete Ismaili: Shqiptarët po mbeten jashtë institucioneve të sigurisë, heshtja e VLEN-it e papranueshme
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë ende jashtë Kuvendit, Qeveria e zvarrit procesin, opozita thotë se s’ka mekanizëm ndëshkues
- LEXO: Mbi një vit e gjysmë pas shfuqizimit të Balancuesit, Qeveria e RMV-së miratoi Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat